Siria vendosi të bllokojë të gjithë llojet e avionëve turq që kalojnë nëpër hapësirën ajrore të saj.
Ky është vendimi i Damaskut pas përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve, sidomos pas detyrimit të një avioni civil sirian nga ushtria turke që të ulej në Ankara. Sipas zyrtarëve turq, përfshirë këtu edhe vetë kryeministrin Erdogan, avioni sirian i nisur nga Moska kishte në bord materiale luftarake ruse të destinuara për regjimin e Bashar al-Assad në kundërshtim me embargon e armëve në fuqi ndaj Sirisë.
Vendimi për të mos lejuar avionët turq mbi hapësirën
ajrore siriane hyri në fuqi në mesnatë. Ndërkohë, aktivistët e opozitës së armatosur deklaruan për mediat ndërkombëtare rrëzimin e një avionit civil sirian në afërsi të Alepos. Sipas tyre, avioni transportonte armë drejt Damaskut.
Ndërkohë, i dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi mbërriti të shtunën në Turqi për të zhvilluar bisedime në lidhje me tensionet në rritje midis Ankarasë dhe Damaskut.
Gjatë vizitës së tij, diplomati veteran algjerian do të përpiqet të gjejë një rrugëdalje për zbutjen e tensioneve mes dy vendeve, për të parandaluar atë që komuniteti ndërkombëtar i druhet më shumë, përhapjes së konfliktit jashtë Sirisë.
Të njëjtat burime, ditën e shtunë njoftuan marrjen nën kontroll të një baze ushtarake kundër-ajrore në qytetin e Alepos, ku luftimet janë më të ashpra se në zonat e tjera të Sirisë.
Post a Comment