Të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë në një atentat vetëvrasës me bombë në një treg në veri-perëndim të Pakistanit.
Autoritetet lokale njoftojnë se atentati ndodhi në tregun kryesor të qytetit Darra Adam Khel, në afërsi të zonës tribale të Khiberit.
Duket se shënjestër e tij ishte milicia pro-qeveritare, e organizuar për të luftuar kundër talebanëve, deklaruan burime zyrtare për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Ato thanë se shumë persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa rreth 20 dyqane që ndodhen aty pranë janë dëmtuar nga vala e shpërthimit.
Sipas autoriteteve, për momentin asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit, por sulmet e mëparshme në këtë zonë u janë atribuar talebanëve.
Shpërthimi ndodhi jashtë zyrës së Komitetit lokal të Paqes, një grup militantësh që dikur luftonte përkrah talebanëve, por që më vonë ndërroi krah dhe tani mbështet qeverinë.
Darra Adam Khel është një qytet i vogël rreth gjysmë ore me automjet në jug të Peshauarit. Një sulm vetëvrasës me bombë i kryer dy vjet më parë ndaj një xhamie të qytetit i mori jetën më shumë se 70 personave.
Qyteti ka qenë gjithashtu një qendër për tregtinë e armëve, kryesisht atyre lokale, që shiten hapur në të gjitha tregjet.
Post a Comment