Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një aksioni të ndërmarrë të dielën, kanë mbuluar pllakën ku shkruhet Ministria e Zhvillimit Ekonomik tek hyrja e ministrisë në fjalë, duke e zëvendësuar atë me mbishkrimin “Ministria e Shkatërrimit Ekonomik”.
E tërë kjo sipas aktivistëve të Vetëvendosjes, po bëhet për të ilustruar më qartë punën e kësaj ministrie, e cila sipas tyre nuk po e zhvillon, por po e shkatërron ekonominë e këtij vendi.
Nol Nushi, aktivist i Vetëvendosjes, shprehet: “Objekti përballë gabimisht e ka mbajtur emrin Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Puna që ka bërë dhe po bën kjo ministri, vazhdimisht çdo ditë është shkatërruese dhe shumë e dëmshme për popullin e Kosovës, saqë veç zhvillim s’mund të quhet. Ministria me të cilën udhëheq Besim Beqaj, po vazhdon rrugën e verbër të privatizimit.”
Po ashtu, Vetëvendosje ka kundërshtuar edhe një herë procesin e privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës dhe të ndërmarrjeve të tjera që sipas tyre do të varfëronte edhe më shumë qytetarët.
Pas kësaj, Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit Beqaj, ka thënë nëpërmjet telefonit se “MZHE në bazë të dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është e përcaktuar për funksionalizim të ekonomisë së tregut, reforma strukturale ekonomike, për fuqizim të sektorit privat, për vendosjen e normave të larta profesionale dhe institucionale në funksion të rritjes së qëndrueshme, ekonomike dhe krijimit të vendeve të reaja te punës”.
Baxhaku ka shtuar se “filozofia politike e Vetëvendosjes është ne kundërshtim me këto orientime dhe obligime kushtetuese dhe ligjore”.
Post a Comment