Një ditë pasi kreu i Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, i kërkoi ndihmë presidentit Bamir Topi për parandalimin e spastrimit etnik në Mitrovicë, vjen deklarata "kërcënuese" e ambasadorit shqiptar në Kosovë, Islam Lauka.
Ai ka shfrytëzuar një takim në nder të heroit Agim Ramadanit, për të paralajmëruar ministrin e Brendshëm të Serbisë Ivica Daçiç që të mos luajë me kufirin e Kosovës. "Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka ka porositur ministrin e Brendshëm serb, Ivica Dacic, që kufijtë janë të pa prekshëm, të pa lëvizshëm, të patundshëm dhe mos të tentojë të luajë me ta, pasi që Shqipëria e ka njohur dhe e njeh kufirin e vendosur në Koshare, ashtu siç njeh në Jarinjë dhe Bernjak", njoftuan dje mediat kosovare, të cilat përcollën për publikun jo vetëm deklaratën e Laukës, por edhe aktivitetin ku ai merrte pjesë, në 13 vjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani dhe gjithë luftëtarëve të Brigadës 183 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga Beogradi zyrtar nuk ka ende një kundërthënie ndaj kësaj deklarate të një përfaqësuesi diplomatik të një shteti, e aq më tepër të Shqipërisë.
Deklarata e Laukës bëhet në një kohë kur situata në Mitrovicë u tensionua ditët e fundit, pas vrasjes së një shqiptari të shtunën e kaluar, plagosjes së disa qytetarëve të tjerë dhe shpërthimit të një stacioni të policisë kosovare në këtë qytet. Ky qëndrim i Shqipërisë bëhet i qartë kur Beogradi, duke shfrytëzuar këtë situatë, ka kërkuar bisedime për veriun, një dialog që konsiderohet i mbyllur. Pikërisht dje lëvizja "Vetëvendosje" kërkoi një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për veriun, por që u hodh poshtë nga pjesa e deputetëve të maxhorancës dhe një pjese të opozitës, për shkak se edhe kryeministri Thaçi gjendet jashtë Kosovës. Përpjekjet e ndërkombëtarëve, që për Mitrovicën të realizohet një dialog politik, i është përgjigjur negativisht dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Sipas tij, "nuk do të ketë negociata ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë për çështje të brendshme të vendit". Ai ka ngulur këmbë që zgjidhja mund të kërkohet "në dialog me qytetarët tanë serbë të Kosovës, duke u bashkërenduar me partnerët tanë ndërkombëtarë", është shprehur Kuçi dje për mediat kosovare. Ambasadori amerikan në Kosovë Christopher Dell, që të hënën e kaluar ka hedhur idenë që problemi i veriut duhet të zgjidhet me anë të dialogut, por që për fillimin e këtij dialogu duhet të pritet formimi i qeverisë në Serbi, ku në fillim të majit do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale.
Post a Comment