Militantët islamikë janë duke ndërmarrë një sulm të koordinuar mbi kryeqytet dhe mbi objektiva të tjerë në Afganistan.
Një zëdhënës i talebanëve informoi se luftërarët janë duke sulmuar ambasadat në enklavën diplomatike, shtabin e përgjithshëm të NATO-s dhe godinën e parlamentit në perëndim të Kabulit.
Shpërthime të forta dhe të shumta janë dëgjuar që prej orëve të para në kryeqytet. Gjithashtu, sulme janë duke u ndërmarrë në krahinat e Logar e Paktikës, ndërsa një atentat vetvrasës ka ndodhur në Jalalabad.
NATO pranoi se ka patur raportime për shtatë sulme në Kabul, por nuk mund të konfirmojë ende nëse ka apo jo viktima.
Është konfirmuar gjithashtu lëshimi i një granate brenda një banese të përdorur nga diplomatë anglezë, ndërsa dy predha antitanku kanë goditur një kullë roje në ambasadën britanike, por pa shkaktuar dëme.
Sipas Agence France-Presse, godina e sapopërfunduar e “Kabul Star Hotel” është përfshirë nga flakë, ndërsa në ambasadën amerikane, janë dhënë sirenat e alarmit e stafit është zhvendosur në pozicione të sigurta.
Në muajt e fundit, talebanët kanë treguar se janë në forcim të vazhdueshëm, ndërsa ekzistojnë dyshime serioze mbi mundësinë e forcave vendase për të mbajtur në këmbë qeverinë diplomatike, pas tërheqjes së NATO-s në 2014-n.
Post a Comment