Aleanca Kuqezi vazhdoi nga Peshkopia zgjerimin e degëve të saj, ku të dielën disa qindra qytetarë u antarësuan në strukturat e kësaj partie.
Kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu, në fjalimin e tij, e konsideroi krahinën si “të lënë në mëshirë të fatit”.
“Peshkopia dhe Bulqiza nuk kanë qenë në këtë gjendje të mjeruar as në kohën e luftës”, theksoi Spahiu. “Ku është rruga e Arbërit? Ku janë premtimet e qeverisë për këtë zonë. Asgjë nuk është realizuar”.
Sipas ish-kryetarit të KLD-së, harresa e rrethit të Dibrës është e qëllimshme, në “mënyrë që mafia e minierave të vërë pasuri mbi kurrizin e njerëzve të varfër të kësaj zone, ndërsa fondet që duhet të ndërtonin rrugët, kanë shkuar për të ndërtuar vilat e ministrave dhe rrugët për to”.
Në shfaqjet e fundit publike, Spahiu kishte akuzuar përsëri qeverinë për shpërdorimin dhe keqadministrimin e fondeve për transportin në Shqipëri, i cili sipas “AK”-së, është shndërruar në një prej monopoleve të shumtë të pushtetit.
Post a Comment