X Qëndroni të informuar me vetëm një "Like"

Blogger Tips & Tricks

Headlines News :
Home » , , , , , » Vetëvendosje: Të ndërpriten bisedimet me Serbinë

Vetëvendosje: Të ndërpriten bisedimet me Serbinë

Written By The Informer on 5.05.2011 | 12:02

PRISHTINE- Në Kuvendin e Kosovës ka filluar interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, kërkesë kjo e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Interpelanca ka të bëjë me bisedimet ndërmjet Serbisë e Kosovës, që po zhvillohen në Bruksel. Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti theksoi se nga dialogu i nisur ndërmjet Serbisë e Kosovës, Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për BE, kurse Kosova kopjet e librave të kadastrit dhe të librave amëz.

Ai ka ritheksuar tone kritike kundër Kushtetutës sipas Pakos së Ahtisarit, që ka ndarë vendin në baza etnike, të cilën po e forcon dialogu i Brukselit. Sipas tij në këtë mënyrë Kosova po shndërrohet në një Bosnje të dytë. Më tej, ai ka vlerësuar se duke biseduar për çështje të brendshme të Kosovës, të cilësuara si çështje teknike, në fakt po diskutohet për pavarësinë. Secila temë e diskutuar në fakt ka të bëjë me statusin, pra kthimin në tryezë të diskutimit pavarësinë.

Kurti shfaqi dyshimin për qëllimin e rezultatet e bisedimeve edhe me faktin se deputetët s’kanë mundësi qasjeje as në procesverbalet, as transkriptin e bisedimeve. Ai kërkoi ndërprerjen e bisedimeve dhe për pasojë edhe përgjegjësinë Hashim Thaçit.

Duke iu përgjigjur akuzave të Vetëvendosjes, kryeministri Hashim Thaçi tha se në bisedime me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve teknike, në të mirë të përmirësimit të jetës së të gjithë qytetarëve të Kosovës, është hyrë me platformë dhe me qëllim të shtrirjes së pushtetit në gjithë territorin e vendit, transmeton Koha. Sipas tij bisedimet i hapin rrugë integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në strukturat veri-atlantike.

Thaçi akuzoi Vetëvendosjen për qëndrime kundër miqve perëndimor–SHBA dhe BE-së, duke shtuar se ai dhe qeveria që drejton kanë vijat e kuqe të përkushtimit.
Kryeministri rikujtoi se dialogu me Serbinë është një detyrim ndërkombëtar, që buron nga Rezoluta e OKB, pas miratimit të Mendimit të GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë pjesë të seancës folën edhe shefat e Grupeve Parlamentare. Ndërkaq, në tekstin e mocionit që do të propozohet për votim nga Lëvizja Vetëvendosje rekomandohet që të ndërpriten bisedimet me Serbinë.

Po ashtu kërkohet që Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të shtrirë autoritetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj, veçanërisht në veri dhe Qeveria e Kosovës të informoj rregullisht, çdo tre muaj Kuvendin e Kosovës për përpjekjet e saj për të vendosur kontroll në tërë territorin e Kosovës.
Share this post :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Albanian Defense News - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger