X Qëndroni të informuar me vetëm një "Like"

Blogger Tips & Tricks

Headlines News :
Home » , , , » Baradei: Ushtarakët në fuqi po “lëvizin” shumë ngadalë

Baradei: Ushtarakët në fuqi po “lëvizin” shumë ngadalë

Written By The Informer on 4.20.2011 | 11:22


Nobelisti Mohamed El Baradei planifikon që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në fund të këtij vitit, në Egjipt. Në një intervistë të fundit ai flet për arrestimin e ish-presidentit Mubarak dhe shtimin e mosbesimit të egjiptianëve ndaj lidershipit ushtarak
El Baradei, 9 javë pas dorëheqjes së Mubarakut dhe arrestimit të tij, a ju bëjnë të lumtur këto fakte?
Po. Është një mrekulli që qeveria dhe këshilli ushtarak, që presupozohet të garantojë periudhën e tranzicionit në Egjipt, e bënë një gjë të tillë. Kjo e çon revolucionin tonë një hap më tej. Por, kishte ardhur tashmë koha e ndërmarrjes së veprimeve konkrete kundër Mubarakut dhe të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e sistemit.
Si për shembull, bijve të tij Gamal dhe Alaa, që janë arrestuar gjithashtu?
Arrestimet ndodhën me vonesë. Dhjetëra manifestime dhe protesta kanë kërkuar një gjë të tillë ditët e fundit.
A mund të konsiderohen arrestimet si një hap i llogaritur i këshillit ushtarak, të cilin protestuesit në sheshin kryesor të Kajros e kanë akuzuar për “mungesë veprimi”?
Nuk dua që të akuzoj lidershipin ushtarak për një gjë të tillë. Ky këshill argumenton se gjykatat kanë nevojë për kohë që të përgatisin arrestimet. Megjithatë, mendoj se ky hap duhet të ishte marrë më herët. Sepse, Mubarakut i është dhënë kohë që të mbulojë gjurmët dhe t’ua vështirësojë punën gjykatësve e prokurorëve. Mendoj se vetëm urdhri që Mubarak dha para se të largohej për të hapur zjarr ndaj protestuesve duhet të mjaftonte për ta vënë këtë njeri para drejtësisë.
E megjithatë, sikur të mos kishin qenë protestat e vazhdueshme në sheshin kryesor të Kajros, Mubarak as sot nuk do të ishte vënë në pranga…
Me sa duket, edhe lidershipi ushtarak ka nevojë për presion. Kjo, sigurisht që nuk e shton besimin e njerëzve tek gjeneralët, dhe kjo është arsyeja se përse marrëdhëniet mes të dyja anëve janë të tensionuara. Por gjeneralët janë gradualisht duke mësuar që të bëjnë siç duhet rolin e tyre të ri. Ata e kuptojnë se tani kanë përgjegjësi politike dhe se duhet të veprojnë. Nëse nuk do të veprojnë, do të përballen me kritika dhe protesta. Për ta, kjo është një situatë e re, një situatë me të cilën duhet që të mësohen.
A keni dyshime për daljen në gjyq të Presidentit dhe djemve të tij? 
Këshilli ushtarak nuk ka opsion tjetër në lidhje me këtë, pra nuk ka opsion veç nxjerrjes para drejtësisë të Mubarakut dhe të të gjithë atyre që kanë dhunuar ligjin dhe kanë bërë korrupsion. Nëse Presidenti do të ishte dorëhequr menjëherë, pra në fillim të revolucionit, sikundër e këshillova që të bënte, ai do t’i kishte rezervuar vetes shansin e një largimi dinjitoz.
Por, në atë rast ai dhe klani i tij do të kishin marrë me vete miliarda dollarët që kishin grumbulluar.
Unë nuk e di nëse janë të vërteta ato që thuhen për pasuritë e tij dhe nuk e di se cili është burimi i këtyre thënieve. Ne duhet që të presim për gjyqin që do të qartësojë të gjitha këto akuza.
Mubarak i ka mohuar të gjitha akuzat në një mesazh në radio të transmetuar menjëherë pas arrestimit...
Kjo është e tmerrshme. Së pari, lidershipi ushtarak i ka dhënë kohë mjaftueshëm që të fshehë paratë dhe më pas atij i jepet mundësia që të deklarohet “i varfër”. Unë mendoj se ishte një gabim i madh që Mubarakut iu lejua të bënte një deklaratë të tillë. Janë tentativa të ulëta për të pastruar emrin duke u shpallur si i varfër. Kjo bëri që njerëzit të dilnin dhe të protestonin sërish.
Ka shumë vetë që kanë shumë dyshime në lidhje me përkeqësimin e supozuar të shëndetit të Mubarakut. A mund të jetë kjo një tentativë për të përgatitur terrenin për të shpëtuar ish- presidentin nga dalja para gjykatës?
Mund të ketë vonesa për shkak të shëndetit, dhe kjo duhet marrë parasysh. Por në fund, gjithsesi Mubarak do të dalë në gjyq. Këtij fati nuk do të mund t’i shmanget. Nëse lidershipi ushtarak shpreson që të mbetet i besueshëm në sytë e njerëzve, atëherë nuk mund të pengojë daljen e Mubarakut në gjyq.
Protestuesit në sheshin “Tahrir” kanë bërë thirrje edhe për largimin nga detyra të gjeneralit Mohamed Hussein Tantawi, që është edhe shefi i këshillit ushtarak. 
Unë jam në anën e protestuesve kur bëhet fjalë për dialog kombëtar, për pjesëmarrje dhe për transparencë. Por mendoj se të rrezikosh një përplasje me ushtrinë…
…E cila ka ndërmend që të ndërmarrë veprime vendimtare kundër protestuesve…
…Kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund të na ndodhte. Në këtë rast do të zhyteshim në kaos. Këshilli ushtarak është i vetmi institucion që ende punon mirë në Egjipt. Kjo është arsyeja se përse është e rëndësishme që liderët ushtarakë të mos luajnë “bixhoz” me të ardhmen dhe besimin e popullit. Ata duhet që të jenë të hapur dhe të ndërmarrin veprime. Dhënia e deklaratave televizive nuk është e mjaftueshme. Ky nuk është dialog.
Janë të shumtë ata që po thonë se Mubaraku dhe Tantawi janë e njëjta dorë. Gjenerali ka qenë për 20 vjet rresht një këshilltar i afërt i Presidentit.
Egjipti është në një fazë shumë të brishtë dhe kritike. Çdo ndryshim nga një regjim autokratik në një regjim demokratik vjen me kompromise të caktuara. Besoj te Tantawi dhe liderët e tjerë ushtarakë dhe besoj se ata me të vërtetë duan që ta menaxhojnë tranzicionin.
Me sa duket ju keni më shumë besim tek gjeneralët se sa tek ambasada amerikane në Kajro. Sipas një raporti të vitit 2008 të publikuar nga “Wikileaks”, Tantawi ishte kundër reformave, sepse  i perceptonte ato si “shkatërrimtare të pushtetit të qeverisë”...
Ja përse është shumë e rëndësishme që këshilli të veprojë sa më shpejt. Përse janë ende në post të gjithë guvernatorët e vjetër të provincave? Përse politikanët e vjetër në të gjithë vendin nuk janë hequr nga detyra? Ne duhet që të jemi shumë vigjilentë, sepse lidershipi i ushtrisë është duke vepruar me shumë ngadalësi, jashtëzakonisht ngadalë.
Por, gjeneralët mund të veprojnë shumë shpejt kur vjen rasti i dënimit të atyre që u bëjnë kritika. Vetëm pak ditë më parë, një gjykatë ushtarake dënoi gazetarin Maikel Nabil Sanad me tre vjet burg për shkak të “fyerjeve ndaj ushtrisë”.
Është e pakuptimtë për një civil që të dënohet nga një gjykatë ushtarake. Kjo është një relike e epokës së Mubarakut, që ishte mësuar me ligjet e shtetrrethimit…
…Të cilat janë ende në fuqi…
…Për të siguruar futjen e kundërshtarëve në burgje. Kjo nuk duhet që të kishte vazhduar në Egjiptin e ri. Kjo e shton dozën e mosbesimit tek ushtria. Oficerët duhet që të mësohen të jetojnë edhe me kritika. Nëse çështja e gazetarit do të ishte shqyrtuar nga një gjykatë civile, atëherë ky do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.
Një nga premtimet e ushtrisë është që të lërë pushtetin deri në fund të vitit. A do të ndodhë një gjë e tillë?
Nëse ata që do ikin në fund të vitit apo në fillim të vitit tjetër, kjo nuk ka edhe shumë rëndësi për sa kohë që ushtarakët do ta bëjnë punën e tyre me ndershmëri. Ne nuk duhet që të nxitohemi me përgatitjet për zgjedhjet parlamentare dhe debatet për një Kushtetutë të re.
Duket sikur jeni në favor të qëndrimit të këshillit në pushtet për një kohë të gjatë...
Nuk do të kisha problem me një fakt të tillë. Shumë shtetarë, veçanërisht ata në Europën Lindore, vendet e të cilëve kanë pësuar transformime të tilla, më kanë këshilluar personalisht që gjërat nuk duhet që të nxitohen. 
Çfarë të mire do të kishim nëse do të organizonim me shpejtësi zgjedhjet e lira dhe të drejta, por jo me përfaqësuesit e duhur?
 Gjëja më e rëndësishme është që ne duhet të kemi një axhendë, në përfundim të së cilës ushtarakët do të rikthehen në barakat e tyre. Nuk kam dyshime se në fund ata do ta bëjnë një gjë të tillë.
Optimizmi juaj është për t’u admiruar. Kur ishit ende drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Energjisë Bërthamore në Vjenë, kishit edhe në atë kohë besim se do ta zgjidhnin konfliktin mes Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar. Por, kjo nuk funksionoi. 
Në fakt, kemi qenë në prag të zgjidhjes në shumë raste. Iranianët kanë pasur vullnet që në vitin 2003 që çështja të zgjidhej, por atëherë administrata e Bush nuk ishte e gatshme. Më pas, Obama i nxiti iranianët për zgjidhje, por këtë herë Irani nuk iu përgjigj për shkak të trazirave në vend.
Në librin tuaj me kujtime, që do të publikohet shumë shpejt, përshkruani se si ju mashtruan në tentativën tuaj për të hetuar. 
Unë i përmbahem fakteve në mënyrë strikte dhe pjesë e fakteve janë edhe ato që amerikanët dhe europianët nuk na informuan në lidhje me shumë dokumente dhe informacione që duhet t’i dinim. Ata nuk kanë qenë të interesuar në kompromis me qeverinë e Iranit, por në ndryshimin e regjimit me çdo mjet të mundshëm.
Dhe, iranianët kanë qenë tërësisht të pafajshëm? 
Jo. Edhe ata luajtën pisët. Por, Perëndimi nuk u përpoq kurrë që të kuptonte se gjëja më e rëndësishme për Iranin ishte që ta trajtonin si të barabartë.
Përvojat tuaja negative në politikë nuk duket se ju kanë frenuar në tërheqjen nga gara presidenciale në Kajro.
Unë kam besim se në momentin e zgjedhjeve presidenciale, që është përcaktuar për në fund të vitit, do të kemi krijuar kushtet demokratike, të cilat i kam cilësuar gjithmonë si një kusht për kandidimin tim.
Ju nuk keni frikë se procesi i demokratizimit të Egjiptit mund të falimentojë, si bisedimet me Iranin?
Të dyja rastet mund të zgjidhen, por ndoshta situata në Egjipt mund të zgjidhet më shpejt, sepse numri i aktorëve në këtë rast është më i vogël.
Share this post :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Albanian Defense News - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger