Shërbimi Informativ holandez po heton dy incizime në YouTube në të cilat një serb kërcënon se do shkatërrojë një digë në Holandë, në shenjë proteste për shkak se në burgun e Hagës gjenden ende Ratko Mladic, Radovan Karadzic dhe Vojislav Seselj.
Shërbimi Informativ AIVD po kontrollon incizimet në të cilat një mashkull, i cili prezantohet si dr. Miroljub Petrovic, kërcënon se do të rrafshoj për toke digat e Holandës, nëse nuk lirohen të sipërpërmendurit.
Në incizimin i cili që në shkurt është vendosur në YouTube, Petrovic thotë se ka informata se “grupi i intelektualëve serbë ka bërë plan për lirimin e patriotëve serb: Seseljin, Mladicin, Karazhicin dhe të tjerët”.
"Plani është që t’i dërgohet një ultimatum qeverisë kukull të Holandës, kur forcat patriotike do ta marrin pushtetin në Serbi, për të liruar trimat serbë... Në të kundërtën, kjo digë e brishtë do të bombardohet dhe Holandën do ta pres një katastrofë e madhe”, thotë Petrovic.
Pas monologut të tij, Petrovicit - i cili thotë se gjendet në bregun e Detit të Veriut, 20 kilometra larg Amsterdamit - i bashkohet “eksperti i digave”, me mbiemrin e njëjtë dhe emrin Vojislav, i cili flet për mundësitë e shkatërrimit të mbrojtjes holandeze nga përmbytjet.
Nga AIVD kanë thënë se janë të njoftuar për këto incizime dhe se do ta njoftojnë publikun për zhvillimin e hetimeve.
Post a Comment