Një njësi e KFOR-it gjatë natës së mbrëmshme ka mbajtur nën vëzhgim bazën e forcave speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, në Mitrovicë. Ekipi i KTV-së i cili po zhvillonte një reportazh mbrëmë në këtë qytet ka vërejtur një automjet të KFOR-it që patrullonte përreth bazës së njësisë speciale, ROSU.
Burime ndërkombëtare i kanë thënë gazetës “Koha Ditore” se KFOR-i ka pasur një informacion se njësia speciale e Policisë së Kosovës, e njohur si ROSU, do të ndërhynte në veri të Mitrovicës gjatë natës ndërmjet të enjtes dhe të premtes.
Burimet më tej kanë shtuar se KFOR-i ka paralajmëruar edhe zyrtarët e lartë të Policisë dhe Qeverisë së Kosovës se nuk do të lejojë që forcat speciale të kalojnë matanë lumit “Ibër”.
KFOR-i ka ndërmarrë këtë hap pasi është informuar nga NATO-ja se një njësi e forcave speciale të ROSU nga rajoni i Pejës është vendosur në Mitrovicë. Por, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka theksuar se nuk ka pasuar ndonjë plan për lëvizjen e policisë.
Që pas vrasjes së fundit në veri, njësia speciale e Pejës po udhëton çdo ditë në këtë bazë, e cila, sipas burimeve të KTV-së, ka shtuar frikën te KFOR-i për ndonjë ndërhyrje të mundshme në veri, siç ishte ajo e 25 korrikut.
Ndërkaq, para pak çastesh ka përfunduar një protestë, raporton koha.net, e cila është mbajtur para selisë së EULEX-it në Mitrovicë.
Post a Comment