Të paktën 400 të burgosur u arratisën nga një burg në Pakistan, pasi u sulmuan prej militantëve, konfirmuan të dielën burime zyrtare.
Besohet se një brigadë prej më shumë se 100 luftëtarësh lëshoi një sulm të koordinuar mbi qëndrën e vuajtjes së dënimit rreth orës një të mëngjesit.
Midis të arratisurve, ishin edhe disa prej islamistëve më të rrezikshëm në vend, përfshirë disa të dënuar që prisnin të zbatohej dënimi i tyre me vdekjes, pas një tentative të dështuar për vrasjen e ish-presidentit Pervez Musharraf.
Burgu ndodhej pranë qytetit të Banus, më krahinën Kiber Paktunkhva, e cila kufizohet nga rajonet tribale ku autoriteti shtetëror pothuajse nuk ka asnjë lloj ndikimi.
Talebanët pakistanas, nëpërmjet një komunikate morën përsipër autorsinë e sulmit. Nuk është e qartë se cili është bilanci i viktimave të sulmit, gjatë të cilit militantët përdorën armë të kalibrit të rëndë, granata dhe predha antitank për të shpërthyer muret.
Sulmi i së dielës është i ngjashëm me atë që ndodhi një vit më parë në Kandahar, kur një tjetër brigadë militantësh arriti të lironte nga burgu 470 të burgosur, përfshi komandantë dhe luftëtarë talebanë.
Post a Comment