Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar përsëritjen e një aksioni policor si ai i 25 korrikut në veri, pas incidenteve të shumta të regjistruara në ditët e fundit, ku mbeti i vrarë një person.
Kështu ka raportuar të enjten “RTK”, e cila në edicionin e saj online ka cituar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi.
“Këto veprime do të jenë të detyrueshme për të vënë në zbatim rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës”, ka deklaruar zyrtari i lartë i qeverisë kosovare.
Ndërkohë, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se një aksion i tillë i policisë kosovare në veri do të ishte një “aventurë e rrezikshme”.
“Veriu i Kosovës është një problem politik, i cili nuk mund të zgjidhet me dhunë, sepse në këtë rast do të nxiste një reagim të dhunshëm të cilin askush nuk do të mund ta qetësonte”, ka deklaruar Ivanoviç.
Vetëvendosje bllokon seancën parlamentare
Parlamenti i Kosovës është detyruar të ndërpresë përkohësisht seancën e së enjtes, pas një proteste të mbajtur gjatë saj nga deputetët e lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetët Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri kanë zbritur në hapësirën mes podiumit dhe sediljeve të sallës dhe kanë hapur një parullë të madhe me emrat e Selver Haradinajt dhe Enver Zymberatj, që u vranë në veri të Kosovës nga strukturat serbe.
Pasi kanë qëndruar në heshtje për disa minuta, ata kanë manifestuar pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë, e cila sipas tyre nuk po bën asgjë për ruajtjen e sigurisë në veri të Mitrovicës.
Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi u ka bërë thirrje deputetëve të ndalen, por duke hasur rezistencën e tyre është detyruar të ndërpresë seancën dhe të thërrasë në një mbledhje krerët e grupeve parlamentare.
Kuçi: KFOR dhe EULEX, më aktivë në veri
Më herët zëvendëskryeministri Kuçi vlerësoi se ngjarjet në veri përmbanin reflektime etnike dhe ndikojnë ndjeshëm në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kuçi deklaroi se në zona të tilla, ku përplasjet ndëretnike janë të pranishme, misionet ndërkombëtare KFOR dhe EULEX duhet të ishin më aktive.
“Gjendja në veri kërkon angazhimin e të gjithëve ne, në radhë të parë të institucioneve të vendit dhe forcave politike. Pastaj, faktori ndërkombëtar duhet të jetë më aktiv në veri nga ç’ka qenë ditët e fundit”, deklaroi Kuçi.
Zhbogar: "Veriu" të zgjidhet brenda Kosovës
Ndërsa përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar theksoi se, vrasja e Selver Haradinajt ishte tronditëse edhe për faktorin ndërkombëtar.
Megjithatë, duke folur nga Prizreni, Zhbogar u bëri thirrje banorëve që të tregonin maturi dhe të ruanin gjakftohtësinë.
“Përsa i përket çështjes së veriut, ajo duhet të zgjidhet përbrenda Kosovës, midis pushtetit vendor dhe qytetarëve që jetojnë atje”, nënvizoi Zhbogar.
Kaçin: S’ka status të veçantë për veriun
Ndërkohë, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kaçin hodhi poshtë çdo mundësi për një status të veçantë për veriun e Kosovës.
“Ndjej keqardhje të thellë për retorikën e urrejtjes ndaj Kosovës që është bërë më e theksuar në Serbi që kur ka filluar fushata elektorale”, deklaroi Kaçin.
Ditën e mërkurë, Kaçin bashkë me eurodeputetin Eduard Kukan i bënë thirrje Beogradit që të lirojë sindikalistin kosovar Hasan Abazi, që u arrestua më 28 mars.
Post a Comment