Pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë Selver Haradinaj, dhe tensioneve që pasuan pas saj, presidentja Atifete Jahjaga ka zhvilluar të mërkurën takime me zyrtarët përgjegjës për sigurinë.
Sipas raportimeve të “RTK”, që citon këshilltarin e presidentes Arbër Vllahiu, Jahjaga i ka organizuar takimet në cilësinë e kompetencave që i jep posti i kryetares së shtetit, me qëllim koordinimin e reagimit të institucioneve kosovare.
Sipas burimit, deri tani presidentja është takuar me ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi, si dhe me drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj.
Ndërkohë, shtojnë burimet, më vonë ajo do të takohet me drejtues të Mitrovica, alarmi i Albin Kurtit institucioneve të tjera përgjegjëse për sigurinë, si dhe me drejtues të misioneve ndërkombëtare, EULEX dhe KFOR.
Lidhur me tensionet në Mitrovicë, ekspertët e sigurisë dhe analistët politikë sugjeruan një ditë më parë se çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës për të tejkaluar dhe zgjidhur situatën.
Agim Musliu, ekspert i sigurisë, tha për Top Channel se ajo që duhet të bëjë qeveria e Kosovës është që në koordinim me faktorin ndërkombëtar të organizojë aksione me intensitet të ulët në mënyrë që të kapen grupet kriminale.
Ndërsa, analisti politik, Halil Matoshi, sugjeroi një dialog ndërmjet qeverisë me qytetarët serbë të asaj pjese, por theksoi se kjo duhet të ndodhë pas rikthimit të integritetit në atë pjesë.
Mitrovicë, një grup serb pas atentatit
E ashtuquajtura “Mbrojtja Civile” është organizata që fshihet pas atentatit me eksploziv në banesën e familjes Haradinaj në Mitrovicë, që i mori jetën kryefamiljarit Selver Haradinaj.
Kështu shkruante e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, e cila në numrin e së martës citonte burime të afërta me proçesin hetimor. Sipas burimit mediatik, organizata në fjalë drejtohet nga serbët Jovica Lazareviç dhe Desimir Janiçijeviç, të cilët drejtojnë edhe strukturat paralele në veri.
Pavarësisht se nuk ka ende një rezultat konkret, shkruante gazeta, hetimet e para tregojnë për një atentat terrorist të mirëorganizuar, që do të thotë se, nëse kapen, autorët do të akuzohen për terrorizëm.
Mesnatën mes së shtunës dhe së dielës, shtetasi Selver Haradinaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi, që dyshohet se ishte vendosur në dritaren e banesës së tij.
Nga shpërthimi, i ndodhur në lagjen “Tre Rrokaqiejtë”, mbetën të plagosur edhe anëtarët e tjerë të familjes, bashkëshortja dhe katër fëmijët e Selver Haradinajt.
Post a Comment