Në këta 100 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar, problemi çam ka pësuar aq shumë luhatje e zhvendosje, saqë sot bëhet i nevojshëm një ridefinim i tij. A është çështja çame problem i një komuniteti, apo është ajo një problem kombëtar. E varësisht: a është kjo një çështje politike, apo një çështje e thjeshtë tekniko-juridike. Sot, një debat si ky, për çështjen çame, bëhet akoma më shumë i domosdoshëm, pasi çështja çame e bashkë me të çështje të tjera të mprehta të marrëdhënieve me Greqinë fqinje, duket se nuk janë fare në axhendën politike të shtetit shqiptar. Në fakt, nëse në periudhën midis dy luftërave, çështja çame ishte për politikën shqiptare çështje e një popullsie, së cilës i mohoheshin të drejtat kombëtare e civile, nëse pas Luftës së Dytë Botërore ajo u kthye në çështjen e një popullsie të dëbuar me dhunë nga trojet e veta, sot gjithnjë e më shumë çështja çame rrezikon të shndërrohet për politikën zyrtare të Tiranës çështje e një populli të harruar. Sot vihet re një kurbë zbritëse në ligjërimin politik formal, por edhe në praktikën politike të politikanëve e të institucioneve të shtetit shqiptar kundrejt këtij problemi. Shumëkush në mjediset qeverisëse mendon se injorimi i këtij problemi dhe i problemeve të tjera të mprehta që qëndrojnë pezull në marrëdhëniet tona me Greqinë, e bën më të lehtë rrugën drejt integrimit europian të vendit. Mirëpo shembulli i Maqedonisë tregon pikërisht të kundërtën.
Ndryshe ndodh me klasën tonë politike. Sot duken si personazhe prehistorike figura si Rauf Fico, i cili në kohën kur rrezikohej edhe vetë ekzistenca e shtetit të vogël shqiptar të 1913-s, pranonte ta ulte veten e t’i binte në gjunjë një ministri të huaj për t’iu lutur: “Shkëlqesë, na e shpëtoni Çamërinë”! Në atë shtet nuk ishte kristalizuar ende shteti shqiptar, por ekzistonte një gjeneratë burrash të kalitur në kudhrën e Rilindjes e të luftërave për pavarësi, që ishin gati të jepnin jetën, pasurinë e të shkelnin edhe mbi nderin personal për interesin kombëtar. Dhe çështja çame konsiderohej një çështje e interesit më të lartë kombëtar. Të tillë e trajtuan atë personalitete të mëdha si Mithat Frashëri, Fan Noli apo Ahmet Zogu. Falë angazhimit të tyre, në një ballafaqim të ashpër me diplomacinë greke deri në tribunën e lartë të Lidhjes së Kombeve, u bë e mundur mbrojtja e çështjes çame, me rezultate konkrete e të rëndësishme.
Pas humbjes fatale të Çamërisë, më 1913-n, një fitore historike ishte shkatërrimi i planeve të Athinës për të shpërngulur popullsinë çame myslimane në kuadrin e Traktatit të Lozanës, 1923. Në atë rast shkëlqeu nervi patriotik e klasi diplomatik i personaliteteve si Mithat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, apo i Benedikt Blinishtit, Konsull i Përgjithshëm në Gjenevë. Falë tyre u shpëtua ajo çka mund të shpëtohej pas aneksimit të dhunshëm të 1913-s: u evitua shpërngulja e çamëve drejt Turqisë, në kuadrin e marrëveshjes turko-greke për shkëmbimin e popullsive.
Në vitet ’20-’30 nga tribuna e Lidhjes së Kombeve, shteti shqiptar ngriti vazhdimisht problemin e mbrojtjes së të drejtave kombëtare e civile të minoritetit çam në Greqi. Nën trysninë shqiptare, edhe pse Kushtetuta greke nuk e njihte ekzistencën e minoriteteve, Kryeministri Venizellos u detyrua të krijojë një organizëm të veçantë, Komitetin për Minoritetet në varësi të drejtpërdrejtë nga zyra e Kryeministrit, i cili duhej të ndiqte gjendjen e minoriteteve, e në këtë kuadër edhe të minoritetit çam në Greqi. Çështja çame u ndërkombëtarizua falë qëndrimit intrazigjent të qeverisë shqiptare, dhe gjithnjë nën presionin e saj, qeveria greke u detyrua të hapë edhe shkollat e para shqipe në Çamëri. Ky raport force ndryshoi në favor të Greqisë, kur pozita ndërkombëtare e mbretit Zog u dobësua (si rezultat i ftohjes së marrëdhënieve me Italinë). Nën presionin e fortë të Athinës e të qarqeve grekomane në Himarë, në vitin 1937, Zogu u detyrua të cedonte për hapjen e shkollave greke në Himarë, Palasë e Dhërmi. Por edhe në këtë rast, qeveria shqiptare i kërkoi palës greke si këmbim hapjen e 5 shkollave të tjera shqipe në Çamëri, gjë që edhe u bë.
Pas Luftës II Botërore, çështja çame fiton një status të ri më dramatik. Ajo nuk ishte më çështje e një minoriteti të mbetur tej kufirit shqiptaro-grek, që luftonte për të drejtat e tij kombëtare e civile në kuadrin e shtetit grek, por bëhet çështja e një popullsie të tërë të dëbuar me dhunë nga vatrat e veta. Gjatë viteve të luftës, qëndrimi i Shqipërisë ndaj çështjes çame përthyhet në dy variante të ndryshme, që u përgjigjeshin dy grupimeve në luftë për pushtet: grupimi i djathtë, i përfaqësuar nga Balli Kombëtar, dhe grupimi i majtë, i përfaqësuar nga Fronti Nacional Çlirimtar e Partia Komuniste. Grupimi i djathtë, që e deklaronte hapur vizionin e tij për një Shqipëri etnike, e komprometoi veten në raport me aleatët e mëdhenj, kur miratoi bashkimin e trojeve shqiptare nga ana e pushtuesit nazifashist, gjë që në rast të fitimit të luftës nga aleatët, do ta vështirësonte padyshim pozitën e Shqipërisë në tratativat e paqes.
Nga ana tjetër, kur u pa qartë se gjermanët do ta humbnin luftën, dhe bashkë me ta edhe bashkëpunëtorët e tyre vendas, Balli Kombëtar i hyri një aventure tjetër të rrezikshme, duke filluar negociatat me homologët e vet, të djathtën greke të Napoleon Zervas, lidhur me krijimin pas luftës të një shteti dualist greko-shqiptar, një konfederate, ku Greqia do të kontrollonte funksionet kryesore duke filluar nga ushtria.Të dyja zgjidhjet e parashikuara nga Balli Kombëtar ishin jo realiste dhe do të rezultonin, po të realizoheshin, në dëm të Shqipërisë e të vetë çështjes çame.
Fronti Nacionalçlirimtar dhe Partia Komuniste u gjendën më afër një zgjidhje realiste e në përputhje me koniunkturat botërore. Ata nuk e njohën “Shqipërinë e madhe” të krijuar nën armët e fuqive pushtuese, duke konsideruar atë një krijesë alogjene, që do mund të qëndronte për aq kohë sa do të zgjaste edhe lufta, jo më shumë, dhe kjo ishte evidente. Nga ana tjetër, zgjidhja e problemit çam, që tashmë ishte problemi i rikthimit në trojet e veta të një popullsie të tërë të dëbuar me dhunë nga falangat e Zervës në vitin 1944-‘45, paraqiste shanse më të mëdha në kushtet e një fitoreje të së majtës greke. Kjo kishte dhënë prova të një qëndrimi më realist ndaj popullsisë çame, ndërkohë që Zerva dhe e djathta greke e kishin bërë të qartë opsionin e tyre të vetëm, atë të zgjidhjes përfundimtare të problemit çam, nëpërmjet një operacioni të pastër të spastrimit etnik. Gjithsesi, PK nuk kishte një opsion për bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë pas luftës, siç e pati p.sh. në Kosovë në rast të një konsensusi të Titos.
Ishte e qartë që në Greqinë e pasluftës do të luanin një rol vendimtar SHBA dhe në veçanti Britania e Madhe, e cila jo më kot kishte investuar shumë në planin ushtarak, financiar e politik. Dihet mirë që Churchill u kthye në një sponsor të vendosur të planeve të së djathtës greke për aneksimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir, dhe jo më kot deklarata e qeverisë britanike për Shqipërinë në vitin 1942 e linte të hapur çështjen e kufijve jugorë të Shqipërisë. Sigurisht, këto pozicione njiheshin nga komunistët shqiptarë, ashtu siç njiheshin edhe nga nacionalistët. Pra, për komunistët shqiptarë, çështja çame në fund të luftës identifikohej me aspektin më emergjent të saj, atë të rikthimit të rrethanave të paraluftës, pra të rivendosjes së popullsisë çame të dëbuar në vatrat e veta.
Kishte shumë më tepër shans që kthimi i çamëve të realizohej në kushtet e fitores së frontit të majtë në Greqi, se sa të frontit të djathtë të Zervës, që ishte pikërisht ideatori e zbatuesi i spastrimit etnik të verë-dimrit 1944-1945. Në këtë linjë arsyetimi marrin kuptim edhe përpjekjet e Partisë Komuniste Shqiptare për t’i angazhuar çamët në luftë kundër pushtuesit. Por, ashtu si Balli Kombëtar që nuk e llogariti fundin e fuqisë gjermane duke e implikuar veten keqas me të, po ashtu komunistët shqiptarë nuk e llogaritën që forcat e majta në Greqi ishin të destinuara ta humbnin luftën: këtë e kishin vendosur Stalini e Churchill në Jaltë e para Jaltës. Për rrjedhojë edhe komunistët e bazuan zgjidhjen e çështjes çame në një aleancë të pamundur me një forcë vërtet plot kontribut në luftën antifashiste në krah të aleatëve, por që ishte paracaktuar nga po këta aleatë që të zhbëhej e të përjashtohej nga pushteti pas luftës.
Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare u detyrua ta trajtojë problemin çam në rrugë diplomatike, kur në mars të vitit 1945 u konsumua përfundimisht tragjedia e spastrimit etnik çam. Më 19 mars 1945 u thirrën në takim përfaqësuesit e fuqive aleate në Tiranë, të cilëve iu shpreh protesta për krimet e forcave greke mbi popullsinë civile çame dhe u kërkua ndërhyrja e qeverive përkatëse. Pas një viti, në qershor 1946, Shqipëria i paraqiti Konferencës së MPJ të 4 fuqive fituese në Paris kërkesën për riatdhesimin e popullsisë çame, sigurimin e garantimin e të drejtave të saj civile, kulturore e politike, kthimin e kompensimin e pasurive, rindërtimin e shtëpive dhe dënimin e autorëve të krimeve të kryera ndaj saj. Një protestë me terma të ngjashëm iu paraqit nga Tuk Jakova, pas ndonjë muaji, në vjeshtë 1946, edhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por më tej, me përfundimin e luftës civile në Greqi, në favor të forcave konservatore, problemi çam doli nga axhenda e politikës së Tiranës. Lufta e Ftohtë e vendosi Shqipërinë në krah të kundërt me ato fuqi që, mirë apo keq, kishin qenë ideatore e sponsore të shtetit shqiptar në kufijtë e ngushtë të vitit 1913 dhe që tani ishin paladinë të mbrojtjes e respektimit të të drejtave të njeriut e të minoriteteve. Rreshtimi në frontin lindor krijoi, kështu, një vështirësi objektive për trajtimin e problemit, së cilës i shtohej dhe mungesa e çdo lloj marrëdhënie me Greqinë. Pas tentativave të Greqisë për të ridiskutuar kufijtë jugorë të Shqipërisë në Konferencën e Paqes së Parisit, 1946, kujdes parësor i qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë u bë njohja nga kjo e fundit e kufirit shqiptaro-grek, ashtu siç ishte vendosur nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës 1913. Për këtë qëllim, qeveria shqiptare, nëpërmjet Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara, tentoi më kot të ulej në tryezën e bisedimeve me palën greke, e cila e refuzoi një gjë të tillë.
Në kushtet e marrëdhënieve të tensionuara me Greqinë, çështja çame u përdor si një atout në betejën politike me Athinën. Kujtojmë deklaratat e ashpra mbi “ndreqjen e padrejtësive historike”, që nënkuptonin ribashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, me të cilat Hoxha i drejtohej në fund të viteve ’60 qeverisë së kolonelëve të Athinës, të cilët kishin rilançuar me forcë propagandën për Vorio-Epirin, duke inauguruar një stinë të re tensionesh me fqinjin e veriut. Me gjithë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës e Athinës, më 1970-n, pala greke evitoi vendosjen e kontakteve politike. Kështu që çështja çame, ashtu si dhe problemet e tjera të rëndësishme të mbetura pezull me Greqinë, si ai i ligjit të luftës, i njohjes së kufirit, i kthimit të pronave të qytetarëve shqiptarë të bllokuara me ligjin e luftës të vitit 1940, mbetën pa u trajtuar. Megjithatë, përbën një provë kuraje e dinjiteti fakti që prej vitit 1972 diplomatë shqiptarë të akredituar në Athinë kanë kryer vizita të rregullta në zonën e Çamërisë. Ndaj kësaj treve u kanalizua edhe një pjesë e shkëmbimeve të grupeve artistike e kulturore, që filluan të dërgoheshin në Greqi duke filluar nga ajo kohë.
Në mënyrë paradoksale, thelbi i çështjes çame u paraqit, madje në një atmosferë tejet të acaruar, nga udhëheqësi i fundit komunist, Presidenti Alia, gjatë takimit që ai pati me Kryeministrin grek Micotaqis, në Tiranë më 13 janar 1991. Ndonëse gjithnjë në kuadrin e një “karte rezervë”, çështja çame u nxor papritur nga R. Alia, pasi Kryeministri grek paraqiti me arrogancë dy kërkesa themelore: atë të vendosjes së një kleriku grek në krye të KOASH, dhe atë të rikthimit në Shqipëri të minoritarëve grekë që kishin kaluar ilegalisht kufirin. “Po për kthimin e çamëve, ç’do bëjmë”, e ndërpreu gjithashtu me arrogancë Alia monologun e Kryeministrit grek. Dhe vazhdoi: “Kemi 100 e ca kërkesa nga familje çame që duan të kthehen në tokat e tyre, por atyre nuk u jepet vizë”. Në këtë mënyrë të beftë hyri çështja çame në një takim të nivelit më të lartë shqiptaro-grek. Debati për të u kthye në një nga çështjet kryesore, dhe siç duket nga procesverbali, Alia duhet të ketë dalë fitues në atë debat. Në një moment të caktuar, Micotaqis e humbi dhe pohoi se problemi i minoritarëve ishte i ndryshëm nga ai i çamëve, pasi këta u larguan vetë nga Greqia, si bashkëpunëtorë të nazistëve. E pastaj, shtoi ai, ata nuk ishin grekë, ishin të një kombësie tjetër. Këtë moment e kapi si duhet Alia, i cili nga pozitat e një mbrojtësi të të drejtave të njeriut, ia kthen Micotaqit: “Kështu pra, ata që i përkasin një kombësie tjetër ju i përzikeni”!
Një tjetër moment kulmor i këtij takimi emblematik, është dhe ai që ndoqi pretendimin tjetër të Micotaqit, atë të njohjes si greke të atyre fshatrave, që sipas tij dëshironin të ishin të tillë, dhe hapjen aty të kishave e të shkollave greke. Alia iu përgjigj prerë edhe kësaj radhe, se çështja e kombësisë nuk është një çështje e zgjedhjes personale, por çështje e historisë, gjuhës, kulturës: jo kushdo që i thotë vetes grek është në të vërtetë grek. Pastaj, shtoi Alia, si mund të më flisni mua për një fshat që na kërkoka të quhet grek, ju që me një fjalë tuajën këtu shuat 30 mijë njerëz duke i quajtur si bashkëpunëtorë të gjermanëve, bashkë me pleq e fëmijë?
Siç edhe e pohon indirekt Alia, ky rikthim i çështjes çame, madje nëpërmjet drejtuesit të fundit komunist të Shqipërisë, i detyrohej presionit që tashmë pas ardhjes së pluralizmit, kishte filluar të ushtronte vetë komuniteti çam dhe organizata e tij “Çamëria” mbi institucionet shqiptare. Në atë bisedë Alia i shtroi të dy problemet themelore të çështjes çame, që përfaqësonin edhe dy nivelet e zgjidhjes së saj: problemin e kthimit të pronave dhe atë të rikthimit të tyre në trojet e veta.
E konsideroj shumë të rëndësishme këtë replikim të Presidentit Alia me Kryeministrin Micotaqi në vitin 1991, pasi duke qenë ai edhe një përfaqësues i Shqipërisë së vjetër, diktatoriale, dashur pa dashur vendosi një standard të politikës së jashtme shqiptare: këtej e tutje, drejtuesit demokratë që do të vinin në pushtet, nuk do të mund ta injoronin çështjen çame. Aq më shumë që qysh në nëntor të vitit 1990 pala greke e kishte bërë të qartë nëpërmjet ambasadorit të saj në Tiranë, se për Athinën problemi i minoritetit grek në Shqipëri do të ishte parametri bazë në marrëdhëniet me Shqipërinë. Në mos parametri bazë, të paktën parametër kryesor ose i rëndësishëm duhet të ishte edhe problemi çam për palën shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë.
Në fakt, në takimin e parë të Komisionit të përbashkët Shqiptaro-Grek, mbajtur në Sarandë më 9 prill 1993, ku zv.MPJ Cuderu përforcoi kërkesën e bërë dy vite më parë nga Micotaqis, për njohjen e kombësisë greke për ata qytetarë shqiptarë që “ndiheshin” të tillë, zv.ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Starova, rishtroi problemin e respektimit të të drejtave të “minoritetit çam”. Është e kuptueshme që Cuderu, bijë e një ish-ministri grek të angazhuar shumë për çështjen e Vorio-Epirit, replikoi me të njëjtat argumente mbi gjoja implikimin e çamëve me pushtuesit gjatë Luftës II Botërore. Por ajo lëshoi në një pikë, pasi e la të hapur mundësinë për të shqyrtuar në mënyrë institucionale problemin e pasurive të çamëve. Lindte kështu mundësia për të futur në rrugën e diskutimeve dhe eventualisht të zgjidhjeve konkrete njërin nga kapitujt e çështjes çame. Për fat të keq ky argument nuk u ngacmua më nga pala shqiptare dhe çështja e pronave u përmend edhe ndonjëherë tjetër, por vetëm kaq.
Më 3 maj 1993, Kryeministri Micotaqis, erdhi përsëri në Tiranë ku takoi Kryeministrin e parë demokrat, Aleksandër Meksi. Pas debatit të shurdhët me Ramiz Alinë në janar 1991, grekët kishin korrur fitoret e para në marrëdhëniet me fqinjin e dobët, duke filluar nga imponimi i klerikut grek Janullatos si kreu i KOASH. Edhe në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm Serreqi, aktiv në bisedime, pala shqiptare e rishtroi me forcë çështjen çame, në tre komponentët e saj: lejimi i qytetarëve shqiptarë nga Çamëria të vizitojnë vendin e tyre, kthimi i pronave dhe rikthimi i çamëve në trojet e tyre. Kundërshtimeve të Micotaqis për të diskutuar më tej për këtë problem, Kryeministri Meksi iu përgjigj se pala shqiptare nuk do të heqë dorë nga çështja çame. Shpërthimi i histerisë antishqiptare nga ana e Athinës zyrtare pas dëbimit të priftit grek Krisostomos Maidonis, propagandist i Vorio-Epirit, ndeshi në një reagim po aq të ashpër të qeverisë shqiptare.
Në përgjigje të ultimatumit prej 6 pikash të shpallur më 14 korrik 1993 nga Kryeministri grek Micotaqis, Kryeministri Meksi, në një deklaratë publike të 18 korrikut, shprehej mes të tjerash: “Qeveria shqiptare kërkon që qeveria greke të njohë zyrtarisht ekzistencën e pakicës shqiptare të çamëve, myslimanë e ortodoksë, si dhe të arvanitasve që jetojnë në Greqi prej shekujsh. Në bazë të normave ndërkombëtare ajo i njeh vetes të drejtën të interesohet për shqiptarët dhe minoritetin shqiptar në Greqi… Kërkesës së z. Micotaqis për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ne i përgjigjemi me dëshirën për t’i zgjidhur problemet mes dy vendeve në rrugë bilaterale. Por në qoftë se palës greke i mungon ky vullnet i mirë, ne jemi gati të shkojmë para kësaj gjykate edhe për të kërkuar njohjen e të drejtës së popullsisë çame për t’u kthyer në trojet e veta në Greqi, të drejtat e minoritetit shqiptar që jeton në Greqi, i cili nga frika e terrori nuk guxon as të pohojë identitetin e tij etnik, të drejtën e pronësisë të qytetarëve shqiptarë në atë vend dhe gjithë të drejtat e tjera që u takojnë atyre në mënyrë të ligjshme”. Kjo gjuhë ishte akoma më e ashpër se ajo e Ramiz Alisë në vitin 1991.
Por pala shqiptare do të tërhiqej shpejt nga kjo përplasje ballore. Dhe gjithsecilit prej nesh i mbetet të risjellë në mendje me trishtim serinë e lëshimeve, alias tradhtive, që politika shqiptare ka kryer në këto vitet e fundit: pas zhbërjes së turpshme të autoqefalisë dhe pushtimit të kreut të KOASH nga një klerik grek, militant i helenizmit, në hapjen e shkollave greke në Korçë e Himarë, ngritja e monumenteve dhe e varrezave-piramidë në vijën virtuale të Vorio-Epirit, mbyllja e syve përballë dhunimit të monumenteve e të varrezave shqiptare në jug të vendit, dhurimi skandaloz i hapësirës detare të Shqipërisë, regjistrimi i premtuar i popullsisë me përfshirje të vetëdeklarimit të besimit e të kombësisë, heshtja përballë pretendimit të qeverisë greke për të regjistruar ajo(!) pronat e minoritetit grek në Shqipëri dhe, për turp të turpeve, heqja dorë nga kërkesat e drejta që shteti shqiptar ka ndaj shtetit grek, duke filluar nga zgjidhja e problemit çam, për të vazhduar pastaj me heqjen e ligjit të luftës, njohjen e kufijve ndërkombëtarisht të njohur mes Greqisë e Shqipërisë, kthimin e pronave të qytetarëve shqiptarë, të sekuestruara mbi bazën e ligjit absurd të luftës me Shqipërinë, shpërndarjen e sillogjeve vorio-epirote etj. Ka ardhur koha që qeveritë shqiptare të heqin dorë nga zbatimi i axhendave të huaja dhe t’i kthehen zbatimit të axhendave shqiptare, ashtu siç i detyron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe siç presin prej tyre qytetarët shqiptarë.
Nga Pëllumb Xhufi
Post a Comment