X Qëndroni të informuar me vetëm një "Like"

Blogger Tips & Tricks

Headlines News :
Home » , , , , , , , » Vdekja e Bin Ladenit dhe teoritë e konspiracionit

Vdekja e Bin Ladenit dhe teoritë e konspiracionit

Written By The Informer on 5.06.2011 | 13:36


Konfuzioni në lidhje me detajet e vdekjes së Osama Bin Ladenit ka nxitur shumë spekulime dhe teori konspirative. Shumë pakistanezë besojnë se lideri i Al-Kaedës nuk jetonte aspak në qytetin ku u vra, ndërkohë ka xhihadistë që pretendojnë se amerikanët e varrosën Osamën në det, sepse ia kishin shkatërruar trupin. 
Qytetarët e Abbottabad ku u vra Bin Laden kanë shumë pyetje në kokën e tyre. A iu zu me të vërtetë pusi Bin Ladenit dhe më në fund a u vra ai në të vërtetë?  A jetonte me të vërtetë në lagjen e tyre i kërkuari numër një në planet dhe kryeterroristi Bin Laden të cilit i ishin vënë pas prej dhjetë vitesh duke harxhuar ndër të tjera edhe shuma të mëdha parash?  Dhe nëse është kështu a ishte e vërtetë që ai kishte jetuar aty për 5 vjet me radhë siç është duke pretenduar tani Shtëpia e Bardhë?
“Është e pamundur”, thotë Zubair Gul, i cili jeton disa qindra metra larg shtëpisë ku forcat speciale SEAL të ushtrisë amerikane vranë Bin Ladenin. Gul e ka të vështirë që të besojë se lideri i terroristëve është vrarë në atë shtëpi. “Abbottabad është në një luginë dhe nëse aty kalon ndonjë helikopter nuk ka shanse që të mos e dëgjosh. Kush mund ta besojë vallë që Bin Laden ndodhej i ulur në atë shtëpi dhe nuk dëgjoi helikopterët që po vinin?” Gul është një qytetar gjerman dhe drejton dy restorante në Gjermani, Ai është me origjinë nga Peshavari dhe më pas është zhvendosur në Abbottabad së bashku me bashkëshorten e tij gjermane në vitin 1998, sepse sipas tij aty ishte krijuar një klimë e mirë. Krismat që janë dëgjuar të dielën në darkë dhe shpërthimet e mëpasshme e kanë shkatërruar tashmë këtë imazh paqeje. Nazar Abbasi, një farmacist po në Abottabad, thotë se atij i erdhi mirë në lidhje me lajmin e vrasjes së Bin Ladenit, por më pas u befasua kur pa se nuk po shfaqej ndonjë foto e tij si provë dhe se në vend të forcave të vërteta nisën që të qarkullonin foto të rreme. “Dhe kur dëgjova se amerikanët e kishin hedhur trupin e Bin Ladenit në det mendova se gjithë kjo po shndërrohet përditë e më shumë në një shfaqje të madhe”. Shumë vetë në Abbottabad janë në një mendje me Gul dhe Abnasi. Shumë prej tyre mendojnë se kjo po ngjet, sepse Obama është në prag të kandidimit të tij për mandatin e dytë presidencial. Më pas ata janë të bindur se një qëllim tjetër është edhe dëmtimi i imazhit të Pakistanit. Njerëzit në garnizonin e qytetit e kanë të pamundur që të besojnë se qeveria e Pakistanit kishte dijeni për fshehjen e Bin Ladenit dhe që madje mund ta ketë ndihmuar. “Ushtria jonë dhe shërbimi ynë sekret nuk mund të jenë kaq budallenj”, thotë një tregtar në qytet. “Jo, është e qartë se ai që është vrarë nuk është Bin Ladeni”. Ose mund të ketë qenë me të vërtetë Bin Ladeni, por sulmi ndaj godinës në të cilën ai jetonte është kryer në mënyrë shumë të ndryshme krahasuar me njoftimin zyrtar. Të mërkurën, rrjeti televiziv “Al Arabia” raportoi se një vajzë e vogël 12-vjeçare, e cila supozohet të jetë vajza e Bin Ladenit, ka thënë se i ati u kap i gjallë dhe më pas u qëllua për vdekje. Vajza pretendoi se kishte qenë e pranishme kur ndërtesa u sulmua. Duke qenë se ende nuk është dhënë ndonjë provë përfundimtare e vdekjes së Osama Bin Ladenit dhe Uashingtonit iu desh që të korrigjonte deklaratat fillestare në lidhje me armët që mbante Bin Laden, ka shumë spekulime, të cilat nuk mund të qetësohen. Pakistani përballet tani me dyshime që një pjesë e shërbimeve sekrete të vendit mund të kenë qenë në dijeni të vendndodhjes së Bin Ladenit gjatë gjithë kohës. Islamabadi e mohon vazhdimisht një gjë të tillë, por në këtë rast, çdolloj informacioni sado i vogël dhe i parëndësishëm është duke u “thithur” dhe përpunuar nga media. “Christian Schience Monitor” për shembull shkruan se një reporter ka zbuluar diçka të çuditshme: sipërmarrësit e regjistrimit të popullsisë kanë lënë shënime në të gjitha shtëpitë e lagjes ku ndodhej ndërtesa e Bin Ladenit, por ndërkohë asnjë shënim i tillë nuk është gjetur aty. Në lidhje me versionin amerikan të ngjarjeve për vrasjen e Osama Bin Ladenit ka shumë pikëpyetje.  Disa thonë se asgjë nga ato që thotë Uashingtoni nuk janë të vërteta duke qenë se Shtetet e Bashkuara janë palë në luftë. Vetëm kur Al-Kaeda të konfirmojë vdekjen e Bin Ladenit ai mund të konsiderohet i vdekur. Të paktën kjo është atmosfera në sajtet e Al-Kaedës, por edhe mes islamistëve të moderuar. Për momentin simpatizuesit e Al-Kaedës merren me teori konspirative. Nëse vdekja e liderit do të konfirmohet nga organizata, atëherë do të bien poshtë të gjitha teoritë. Por disa nga adhuruesit e Bin Ladenit janë të shqetësuar me një detaj në veçanti: varrosja e Bin Ladenit. Trupi nuk duhet që të ishte larë siç thuhej edhe në deklaratën e qeverisë amerikane, sepse kjo nuk do të ishte e denjë për një “martir”. Ndërsa islamistë të tjerë dhe grupe fetare po e kritikojnë gjithnjë e më shumë vendimin për varrimin në det. Sipas gazetës egjiptiane “Al-masry Al-Youm” vetë Imami i Madh, Ahmad Tayteb, i Universitetit të Al Azharit në Kajro e ka cilësuar këtë praktikë si anti-islamiste. Ndërsa xhihadistët e Azisë Qendrore kanë publikuar në internet një teori që ushtarët amerikanë mund ta kenë përçudnuar kufomën e Bin Ladenit dhe kjo është arsyeja e vërtetë e hedhjes së saj në oqean, ose në fund të fundit lideri i Al-Kaedës nuk është qëlluar aspak. Teoritë e konspiracionit, megjithatë nuk kanë një rol të fortë në lajmet që jepen nga stacionet arabe të lajmeve. Të martën, gazeta panarabe “Al-Sharq al-Awsat” kishte një lajm kryesor që titullohej: “Vrasësi u vra”. Ndërkohë, komentatorë të tjerë nuk i japin rëndësi të madhe lajmit duke qenë se për ta vdekja e Bin Ladenit u bë në një kohë kur rrjeti i tij nuk ishte më në kulmin e aktivitetit. Kjo mbi të gjitha, sepse revoltat në Afrikën e Veriut janë ato që e nxorën organizatën jashtë loje.
Share this post :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Albanian Defense News - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger