X Qëndroni të informuar me vetëm një "Like"

Blogger Tips & Tricks

Headlines News :
Home » , , , , , , , » Si ndikuan revoltat demokratike në paqen mes Hamasit dhe Fatah

Si ndikuan revoltat demokratike në paqen mes Hamasit dhe Fatah

Written By The Informer on 5.06.2011 | 13:32

Pajtimi mes dy grupeve rivalizuese palestineze, Fatahut të moderuar dhe Hamasit radikal islamik, sipas Shteteve të Bashkuara duhet ta afrojë më shumë paqen me Izraelin. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Uashington sqaroi se është e rëndësishme që palestinezët të vënë në jetë marrëveshjen në atë mënyrë që ajo të nxisë paqen. Presidenti palestinez, Mahmud Abas, dhe lideri i Hamasit, Khaled Meshaal, nënshkruan marrëveshjen e pajtimit në Kajro ditën e mërkurë. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, reagoi dukshëm i përmbajtur për marrëveshjen e pajtimit. “Gjermania nuk do të pranojë asnjë organizatë që nuk e njeh të drejtën e ekzistencës së Izraelit”, tha ai. Presidenti palestinez, Mahmud Abas, pritet sot në Berlin, ku do të takohet me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Indirekt revoltat demokratike në botën arabe kanë mundësuar edhe pajtimin mes organizatave Hamas dhe Fatah, thuhet në vlerësimin e vëzhguesve palestinezë. E papritura ka arritur te palestinezët: vetë populli në Rripin e bllokuar të Gazës dhe në Jordaninë perëndimore, të pushtuar prej kohësh, kishte humbur besimin se Hamasi dhe Fatahu ndonjëherë do të jenë në gjendje të kapërcejnë armiqësitë e tyre ideologjiko-politike. Aq më të gëzuara, megjithëse me skepticizëm të përzier, janë reagimet në popullsinë palestineze. Një grua thotë: "Kjo është shumë e rëndësishme. Ne duam vërtet të jemi në gjendje që të arrijmë paqen në rajon. Është shumë herët për të gjykuar këtë pajtim, por shpresojmë që, do Zoti, kjo marrëveshje të vihet në jetë". Ndërsa ky burrë mendon: "Unë personalisht ndihem më mirë. Shpresoj që do të bëhet mirë, por është herët që të flasim për këtë". Kjo që po ndodh aktualisht mes Hamasit dhe Fatahut është sensacionale, i vlerëson zhvillimet e fundit në Ramallahun verior eksperti palestinez për politikë, dr. Samih Shbib nga Universitetit Bir Zeit. Pa trazirat në botën arabe, të cilat qysh prej fillimit të vitit kanë ndryshuar rajonin, nuk do të kishte pasur pajtim ndër palestinezët. "Ka shumë zhvillime në rajon, veçanërisht në Siri dhe Egjipt, dhe kjo ka krijuar një klimë të re. Hamasi ka pranuar se rruga për të mbajtur pushtetin është uniteti kombëtar". Ishte kryesisht Hamasi, i cili nuk pranoi për një vit e gjysmë të nënshkruante dokumentin e pajtimit, të cilin udhëheqja e atëhershme egjiptiane e Ligës Arabe ua kishte paraqitur dy grupimeve palestineze të armiqësuara. Përsëri udhëheqja siriane dhe iraniane kishte ushtruar presion ndaj Hamasit, që të lërë përçarjet, bëjnë të ditur mediat palestineze. Pra, siç raporton deputeti i Fatahut, Jamal Abu Al Rub, vala e ndryshimit ka arritur edhe në Rripin e Gazës: "Ne si autoritet palestinez dhe Fatahu donim qysh në fillim që këto përçarje të merrnin fund. Unë duhet të them për fat të keq që Hamasi këtë proces e ka zgjatur për një kohë të gjatë. Por tani ka ndryshime të jashtëzakonshme në botën arabe, para së gjithash në Siri. Shikoni se si e shtypin popullin. Siria e ka përqafuar vazhdimisht Hamasin dhe tani ka tensione, edhe mes Sirisë dhe Katarit, të dy e kanë përkrahur Hamasin. Po ashtu ndryshimet në Egjipt kanë kontribuar për këtë. Me Egjiptin Hamasi duhet të mbajë kontakte të mira, sepse Egjipti është kërthiza për Rripin e Gazës". Ministria e Jashtme egjiptiane ka njoftuar tashmë hapjen e kufirit me Rripin e Gazës në Rafah, për t'i dhënë fund bllokadës izraelite.
Share this post :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Albanian Defense News - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger