X Qëndroni të informuar me vetëm një "Like"

Blogger Tips & Tricks

Headlines News :
Home » , , , » Provokimi i Borkos...

Provokimi i Borkos...

Written By The Informer on 4.24.2011 | 06:00

Beogradi ka nisur të luajë me letra hapur në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i delegacionit serb në këto bisedime, Borko Stevanovic nuk e ka fshehur dëshirën e Serbisë që gjatë këtij procesi të bisedojë me palën kosovare edhe për ndarjen e Kosovës.

Ky opsion kohë pas kohe shfaqet në Beograd, përderisa Prishtina vazhdimisht e ka përjashtuar mundësinë e ndarjes.

Dy ekipet e bisedimeve tashmë kanë mbajtur disa raunde dialogu në Bruksel, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE'së, por aktualisht nuk është shënuar ndonjë rezultat për të ashtuquajturat çështje teknike.

Kreu i ekipit serb, i cili kohë pas kohe paralajmëron se dy palët do ta diskutojnë edhe çështjen e statusit, thotë se Serbia është e gatshme të diskutojë edhe për ndarjen e Kosovës.

"Ne jemi të lirë të bisedojmë për çdo gjë dhe nga unë kurrë nuk do të dëgjoni 'jo, kjo është absolutisht e papranueshme dhe për këtë s'mund të flasim'. Mendoj se edhe pala tjetër duhet t'ia përshtasë qasjen kërkimit të zgjidhjeve, e jo të synojë konfirmimin tonë për të ashtuquajturën pavarësi të tyre, sepse atë kurrë nuk do ta fitojë", ka thënë Stevanovic, të shtunën, për gazetën beogradase "Blic".

Por, një propozim i tillë është përjashtuar menjëherë nga shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri, e cila deklaratat e Stevanovic i ka cilësuar të dëmshme për stabilitetin rajonal.

"Dihet qartë qëndrimi ynë. Koncepti i dialogut është për çështje teknike dhe asnjëherë nuk do të pranohen temat politike. Mund të them se idetë e tilla që kanë ardhur nga Serbia dhe z. Stefanovic janë ide destabilizuese për rajonin. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës udhëhiqemi me politika progresive, për të forcuar stabilitetin dhe paqen në rajon, fqinjësinë e mirë, si rrugë për integrime evropiane dhe euroatlantike", ka thënë Tahiri në një prononcim për Express, të shtunën.

Ajo ka mohuar që gjatë takimeve me palën serbe të ketë pasur tendenca për të diskutuar temën e ndarjes.

"Jo, nuk ka pasur tendenca të tilla, sepse që nga takimi i parë - edhe një herë, pra, të gjitha palët kanë konfirmuar që kanë pranuar konceptin për një dialog teknik, që adreson çështjet praktike", ka thënë Tahiri.

"Unë ia kam thënë z. Stevanovic pas vizitës në Kosovë dhe deklaratave të tilla të pamatura, që nuk i kontribuon suksesit të dialogut një retorikë propagandistike mediave, sepse qëllimi i dialogut është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe afrimi i të dyja vendeve me BE'në, por edhe rritja e bashkëpunimit rajonal", ka shtuar Tahiri.

Për më tepër, zëvendëskryeministrja Tahiri i quan provokuese deklaratat e shefit të delegacionit serb.

"Deklaratat e tilla provokuese janë të dëmshme për dialogun dhe unë mendoj se në këtë rast z. Stefanovic duhet të jetë më i përgjegjshëm për t'i dhënë kontribut suksesit të dialogut".

Tahiri ka thënë, po ashtu, se deklaratat e Stevanovicit janë vetëm për konsum të brendshëm politik.

"Por ata e dinë qartë - edhe z. Stefanovic, edhe Qeveria serbe se dialogu që ka nisur në Bruksel ka karakter ekskluziv teknik dhe për këtë ata janë pajtuar paraprakisht. Sikur që jemi pajtuar edhe ne, edhe BE'ja. Fundja, edhe rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB'së flet për një dialog për çështje praktike në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe në interes të përafërmit të të dyjave vendeve me BE'në", ka thënë Tahiri.

Për çështjen e ndarjes ka folur edhe zyrtari i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman, duke përjashtuar këtë opsion.

"Çështja e ndarjes apo e territorit nuk është në tavolinën e dialogut dhe nuk do të jetë në tavolinë. Këtë e kanë pasur të qartë të dyja palët para se të fillonte dialogu. Ekziston një numër çështjesh praktike në veriun e Kosovës, që duhet të diskutohen dhe mbi të cilat mund të ketë përparim", ka thënë Countryman për Radion Europa e Lirë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri, duke komentuar rreth deklaratave të Countrymanit, ka theksuar se kjo është një porosi e qartë për Beogradin.

"Mendoj se Countryman i ka dhënë porosinë e qartë Beogradit, pra në këtë mendim është SHBA'ja dhe BE'ja, që është koha që shtetet në rajon të ndërtojnë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe t'i lënë anash politikat e vjetra hegjemoniste", ka thënë ajo.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur bisedimet teknike me ndërmjetësimin e BE'së, por analistë dhe ekspertë kanë paralajmëruar se takimet Prishtinë-Beograd mund të ndërrojnë kahje dhe të dalin në rrafshin politik.

Edhe pse Kosova deri më tash është njohur nga 74 vendet kryesore të botës, Serbia vazhdon të mos e njohë realitetin e krijuar në shkurt të vitit 2008.
Share this post :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Albanian Defense News - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger