X Qëndroni të informuar me vetëm një "Like"

Blogger Tips & Tricks

Headlines News :
Home » , , , , » Mbi përfaqësimin reciprok ose të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë

Mbi përfaqësimin reciprok ose të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë

Written By The Informer on 4.28.2011 | 01:29


Sot, më 27 prill, në orën 12:00, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, kryetar i së cilës është Albin Kurti, mbajti mbledhjen e vet të radhës. Në përputhje me Planin dhe Programin e Punës për periudhën mars - dhjetor 2011, u diskutua për inicimin e një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për përfaqesim reciprok. Fjalimin e Albinit që e hapi këtë diskutim e keni të bashkangjitur. Në fund, anëtarët e pranishëm të këtij Komisioni njëzëri u pajtuan që t'i rekomandohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës që ta përfshijë në programin dhe strategjinë e vet të punës angazhimin për një marrëveshje të këtillë me MPJ-në e Shqipërisë.

Mbi përfaqësimin reciprok ose të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë
(Fjalim në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme me rastin e diskutimit për inicimin e një marrëveshje përkatëse) 


Republika e Shqipërisë zyrtarisht e publikisht përmes MPJ-së, Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit angazhohet për njohje të reja për pavarësinë e Kosovës. Shumë politikanë në Prishtinë dhe Tiranë flasin për lobim, për njohje të pavarësisë së Kosovës e përmirësim imazhi. Ata i thonë të njëjtat gjëra ndaras. Ambasadorët e Kosovës e të Shqipërisë gjithandej bashkëpunojnë e ndihmojnë njëri-tjetrin joformalisht. Prandaj, gjithsesi ka vend për një memorandum midis MPJ të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ku specifikohen mbrojtja dhe përfaqësimi i interesave të ndërsjellta në botën diplomatike.

Pas vullnetit politik për një marrëveshje dypalëshe, do të duhej të diskutoheshin: 1. Baza në të drejtën ndërkombëtare; 2. Përafrimi i legjislacionit të dy vendeve për Përfaqësitë diplomatike dhe konsulore; 3. Kriteret kur kjo marrëveshje funksionon e kur jo (pra, kufizimet e saj).

Mandej, do të kishim edhe formimin e një Grupi Pune të përbashkët Prishtinë-Tiranë. MPJ duhet hartuar një draft të kësaj marrëveshje ndër-shtetërore, të cilën pastaj Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit do ta shqyrtonte dhe në fund dy MPJ-të do ta nënshkruanin.

Me këtë rast do të mund të diskutoheshin paraprakisht çështje të ndryshme prej mundësive që një anëtar i stafit nga Kosova të shërbejë si këshilltar për çështjet e Kosovës nëpër ambasadat e Shqipërisë (dhe anasjelltas), e deri te definimi i fushave të përfaqësimit reciprok ose të përbashkët që do të ishte për ofrimin e shërbimeve konsullore ose edhe përfaqësimin diplomatik.

Misionet diplomatike, siç e dimë, themelohen në bazë të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike të vitit 1961. Aty thuhet që misioni diplomatik mund të themelohet vetëm në vendet që kanë pranuar/njohur njëri-tjetrin. Pikërisht me këtë Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike mundësohet përfaqësimi i këtillë – neni 6: “Dy ose më shumë shtete mund të akreditojnë të njejtin person si shef të misionit në një shtet tjetër, përveç nëse shteti nikoqir (pranues) e refuzon atë.”

Përfaqësimi i interesave të një shteti të dytë karshi një shteti të tretë është një praktikë e njohur ndërkombëtare. Rasti më i theksuar dhe i njohur në botë është ai i Zvicrës e cila përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Iran dhe Kubë. Kuba ka angazhuar gjithashtu Zvicrën me përfaqësimin e interesave të këtij vendi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Karshi përfaqësimit të interesave të Kubës e Shteteve të Bashkuara, Zvicra përfaqëson edhe interesat e Rusisë në Gjeorgji.

Nëpërmjet përfaqsimit reciprok midis republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë sigurisht që shpenzimet do të shkurtoheshin për të dyja vendet. Diplomacia është një veprimtari tejet e shtrenjtë, madje edhe për shtetet me traditë (të cilat sidomos pas krizës globale financiare të 15 shtatorit 2008, filluan t’i redukojnë apo t’i fuzionojnë ambasadat me shtetet fqinje apo shtetet tradicionalisht miqësore). Krahas ekipimit cilësor dhe profesional të misioneve tona diplomatike në botë, është i mundshëm dhe i dobishëm edhe përfaqësimi i përbashkët apo delegimi i përfaqësimit diplomatik shteteve mike, natyrisht duke filluar me Shqipërinë të cilën e kemi shumë më tepër se aq. (P.sh. Maqedonia, gjatë presidencës portugeze në BE, në vitin 2007, pasi që nuk kishte ambasadë të veten në Lisbonë, kishte nënshkruar një këso marrëveshje me Slloveninë, për ta përfaqësuar diplomatikisht për periudhën 6 mujore. Ngjashëm pat vepruar ajo edhe me përfaqësimin e saj diplomatik në disa shtete të Amerikës latine.)

Kjo marrëveshje për përfaqësim reciprok, në këto kushte, nga këndvështrimi i Kosovës, është e levërdishme ngase Shqipëria mund të na përfaqësojë në së paku 7 shtete ku nuk kemi misione e që na kanë njohur.

Kosova ka misione diplomatike në 20 shtete (19 ambasada, një të ngarkuar me punë – Rexhep Boja). Shqipëria ka misione diplomatike në 54 vende (jo shtete – sepse në disa shtete ka nga 2-3 përfaqësi diplomatike si në Itali, Greqi, Zvicër e Turqi). Nga 54 Misionet Diplomatike që ka Shqipëria jashtë vendit e ku Kosova do të mund të shfrytëzonte përfaqësim reciprok janë 7 vende: Danimarka, Mali i Zi, Malejzia, Polonia, Portugalia, Emiratet e Bashkuara dhe Katari. Në vendet e tjera ku Shqipëria ka misione diplomatike, nuk do të mund të gëzojmë përfaqësim reciprok ngase këto vende nuk e kanë njohur Kosovën. Mirëpo, nga 54 misionet e Shqipërisë, 4 janë: NATO, OSBE, BE, Këshilli i Evropës – ku do të mund të gëzonim përfaqësim në formë jo-formale ngase asnjëra prej tyre nuk e njeh Kosovën. Ngjashëm do të mund të bënim edhe me përfaqësimin tonë brenda përfaqësisë së Shqipërisë në Vatikan, Argjentinë, Egjipt, Izrael, Bosnje, Greqi, Kinë, Indi etj. meqenëse në të gjitha këto vende Shqipëria ka ambasada.  

Përgjithësisht, në ato vende të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe ku nuk ka përfaqësim diplomatik, për çdo problem që mund të kenë qytetarët e Kosovës, ata mund të përfaqësohen nga ambasadat e Shqipërisë (p.sh. në Greqi, Spanjë etj.). Edhe në këto shtete jetojnë dhe punojnë shtetas të Kosovës për përfaqësimin e të cilëve nuk është askush përgjegjës. Një përfaqësim i tillë është i nevojshëm në rastet e vdekjes së shtetasve nga Kosova, sëmurjes së tyre gjatë një vizite turistike, burgosjes etj. Po ashtu, nëse një shtetas i Kosovës e humb pasaportën në, ta zëmë, Greqi apo Spanjë, ambasada e Shqipërisë mund t’i lëshojë një laisser-passer që ai të kthehet në shtëpi, sepse përndryshe e ka të pamundur. Republika e Shqipërisë do të ishte e autorizuar të përfaqësonte interesat e shtetasve të Kosovës karshi insitucioneve të shtetit me të cilin Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike.

Nevoja të ngjashme ka edhe në lëminë e ekonomisë, pra të bashkëpunimit ekonomik me vendet tjera. Ka plot shtete të cilat në kuptimin diplomatik nuk e njohin shtetin e Kosovës, por që firmat e atyre vendeve kanë raporte ekonomike me Kosovën apo firmat në Kosovë. Një shembull konkret është Kina. Siç dihet firmat e Kosovës kanë raporte ekonomike me Kinën. Për shkak të mungesës së përfaqësimit reciprok shfaqen vështirësi të ndryshme në lidhje me transportin, doganat etj.

Pra, Shqipëria mund të mbrojë interesat e Kosovës në vendet në të cilat Kosova: a) nuk njihet si shtet; b) nuk ka përfaqësi diplomatike; dhe c) në vendet ku jetojnë qytetarë të Kosovës, veprojnë ndërmarrje ekonomike nga Kosova, ka raporte mes njerëzve të të dy vendeve në rrafshin turistik, kulturor, arsimor e të tjera, për mbrojtjen e interesave të të cilëve nuk është përgjegjës askush.

Arsye tjetër, në favor të Shqipërisë, do të ishte që në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore Shqipëria të përfaqësohej nga ambasadat e Kosovës për shkak edhe të komunikimit më të mirë (njohja e gjuhës dhe kulturës, Kosova është më shumë kontinentale kurse Shqipëria më shumë mesdhetare etj.) 

Gjithashtu, në disa vende të Evropës ku ka shumë emigrantë nga Kosova e Shqipëria shumë prej tyre kanë vajtur atje me dokumenta të njëri-tjetrit. Pra, ka shqiptarë të Shqipërisë me dokumenta të Kosovës, dhe e kundërta. Në këtë rast, një ambasadë e përbashkët do të ishte shumë më efikase dhe nuk do të kishte ngatërresa.

Jo vetëm që nëpërmjet Shqipërisë do të mund të përfaqësoheshim në vendet të cilat ende s’e njohin pavarësinë e Kosovës, por Shqipëria do të mund të merrte përsipër edhe përfaqësimin e vendeve të tjera në Kosovë të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

Pa dyshim që edhe konteksti politik i Kosovës imponon një ndërmarrje në drejtim të përfaqësimit reciprok e të bashkimit funksional me Shqipërinë në lëminë e politikës së jashtme dhe diplomacisë. Kur kemi parasysh qëndrimin armiqësor të Serbisë ndaj Kosovës dhe pavarësisë së Kosovës, e që paraqet shkakun kryesor të izolimit të Kosovës i cili rëndon jetën e qytetarëve të saj, çdo funksion ndërkombëtar i shtetit të Kosovës që pengohet nga Serbia pse të mos realizohet me veprimin e të dy shteteve, Kosovës e Shqipërisë, si një shtet i vetëm? Nga ky bashkim funksional sigurisht që do të përfitonte shumë Kosova.

Përveç dy shteteve, Kosovës e Shqipërisë, ne kemi në Maqedoni një popull shqiptar me atribute shtetformuese dhe dy pakica në Serbi e Mal të Zi. Cilat do të jenë marrëdhëniet me ata tash? Marrëdhëniet e krijuara në kohën e Jugosllavisë ishin përderisa ndodheshim brenda një shteti, ndërsa sot jemi në katër shtete. A do t’ia lëmë çështjen e tyre vetëm Tiranës dhe një neni të Kushtetutës së Shqipërisë? Ky është një problem i madh që ka nevojë për diskutim dhe koordinim midis dy parlamenteve, dy komisioneve parlamentare për punë të jashtme dhe dy ministrive tona. Sepse, marrëdhëniet midis pjesëve të një kombi gjithsesi nuk janë të njëjta me marrëdhëniet midis partive politike në pjesë të ndryshme të kombit.


Prishtinë, 27 prill 2011
Albin Kurti
Share this post :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Albanian Defense News - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger