X Qëndroni të informuar me vetëm një "Like"

Blogger Tips & Tricks

Headlines News :
Home » , , , , , , » Jo koncesione, jo status special!

Jo koncesione, jo status special!

Written By The Informer on 4.24.2011 | 00:31


Më ra në dorë një libër së fundi, i titulluar “Dashuria jonë për eufemizmat”. Fort interesant. Nën ndikimin e tij edhe unë po e nis me një eufemizëm: për të folur për dialogun me Serbinë. Është eufemizëm, sepse, çka po ndodh në të vërtetë është një tjetër raund negociatash.
Por nga dallojnë këto negociata nga dy pararendëset, ato të Rambujesë dhe ato të zhvilluara nga presidenti Ahtisaari?
Së pari, bisedimet e drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Brukselit, paraqesin një mundësi për shtensionim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Padyshim që ka tema që duhen diskutuar si ajo e të pagjeturve, telekomunikacionit, regjistrave civilë, dokumenteve kadastralë, lëvizjes lirë etj.
Së dyti, për të parën herë, Kosova trajtohet në mënyrë të barabartë me Serbinë, një pranim implicit ky i shtetësisë së Kosovës, edhe pse pesë vende të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur ende. Këto mund të konsiderohen si bisedat e para të barabarta mes dy vendeve të pavarura.
Së treti, as Beogradi, as Prishtina nuk janë nën trysninë akute të qytetarëve për të prodhuar rezultate të menjëhershme; gjatë Rambujesë humbjet njerëzore ushtronin presion të mprehtë mbi negociatorët kosovarë. Barra është më e lehtë gjatë këtyre bisedimeve, meqë nuk ka një perceptim të përgjithshëm për rrezik.
Por ka të tjera çështje që nxisin shqetësim: pse është dizajnuar ky proces? Cili është intencionaliteti? A e din Robert Kuper, i dërguari i znj. Ashton, çfarë do të arrijë prej tyre?
Rambujeja u dizajnua që të ezauronte rrugën politike me qëllim që t’u mundësohej forcave të NATO-s të ndërhynin dhe të mbronin civilët në Kosovë. Presidenti Ahtisari po ashtu e dinte ç’po bënte. Ai ishte i vetëdijshëm se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e pashmangshme për stabilizimin e Ballkanit.
Por unë nuk jam në gjendje t’ju them se për çfarë janë këto negociata, sepse nuk ka qartësi rreth procesit. Autoritetet kosovare thonë se dialogu synon zgjidhjen e çështjeve praktike, të natyrës njerëzore, dhe se nuk ka arsye të shtyhet për më tej adresimi i tyre për sa kohë që ato kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetët e njerëzve. Autoritetet serbe e përkufizojnë si dialog që do të ndihmojë të “arrihet kompromis për statusin e Kosovës”.
Procesit i mungon transparenca dhe kjo është çfarë i frustron qytetarët dhe opinion-bërësit: ata nuhasin riskun e fshehur.
Duke kuptuar nevojën për diskutime me interes për të dyja vendet, duke pranuar nevojën që Kosova dhe Serbia t’i bashkohen familjes së kombeve të BE-së, si udhëzuese dhe roje e vlerave dhe standardeve të besueshme, duket sikur kjo perspektivë për momentin është e hapur vetëm për Serbinë. Është shumë e rëndësishme për Kosovën po ashtu, një vend ku 70% e popullsisë është nën të 30-at, që të ketë një perspektivë të qartë europiane. E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë lidhet me Bashkimin Europian dhe NATO-n. Ky vizion kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe Kosova dëshiron raporte të përzemërta dhe diplomatike me Serbinë, siç është rasti me të gjitha vendet fqinje.
Por duhet thënë se koncepti i normalizimit nuk i përshtatet formatit, megjithatë. Është e vërtetë se termi “dialog strategjik” është krijuar saktësisht për këtë lloj të situatave: të hapë një derë të prapme të vogël, aty dhe atëherë kur komunikimi nuk ekziston. Mirëpo këto bisedime po zhvillohen shumë shpejt. Së pari, Prishtinës nuk i është lënë kohë të përgatitet. Çështjet ngrihen njëra pas tjetrës, dhe mbyllen me t’u diskutuar – pa rezultat apo ndikim; si kapitujt e një libri.
Pikëpamja ime është se bisedimet aktuale nuk duhen parë si qëllim në vetvete, por si instrument që vendos një bazë të re ndërveprimi në rajon. Kjo do të thotë se duhet influencuar të menduarit e shoqërive, aktorëve të ndryshëm brenda saj, vendimmarrësve; se duhet lehtësuar komunikimi mes grupeve të ndryshme të interesit – OJQ-ve, bizneseve, mediave, organizmave profesionalë etj. E pra, e gjitha kjo merr kohë!
Nxitimi për të zgjidhur sa më shumë çështje në sa më pak kohë na çon në hamendësimin se këto bisedime janë dizajnuar për të akomoduar Serbinë në BE.
Pra, çfarë përfitojnë palët nga “dialogu”?
Serbia sigurisht shumë: vendi synon statusin e kandidatit në BE dhe me gjasë do ta fitojë deri në fund të vitit.
Përfitimi i Kosovës nga bisedimet nuk është i qartë ende. Natyrisht disa kufizime, disa pengesa do të hiqen si rrjedhojë e progresit në disa çështje teknike. Mirëpo pamja nga lart, integrimi i Kosovës në BE dhe OKB, ky vizion mungon plotësisht.

Bisedimet e tanishme është dashur të dizajnohen për të përfshirë edhe Kosovën në BE. Menjëherë pas deklaratës së pavarësisë në 2008-n, shtetet anëtare konfirmuan gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës përmes një perspektive europiane. Në një studim të vitit 2009, BE zotohej për “një qasje të strukturuar” që do të shpinte eventualisht drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përmbylljen e një marrëveshjeje tregtare. Është fakt se sot, në 2011-n, Kosova është më e izoluar se kurrë më parë: qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që u duhet të durojnë kufizime dhe refuzime të vizave, të kushtueshme dhe fyese. Në këtë kuptim, BE nuk po i përmbush premtimet e veta.
Për më tepër, situata e tanishme me bisedimet i vë palët në pozita asimetrike: Serbia është partner kontraktual i BE-së; Kosova jo. E, nëse lexon raportet e progresit të dy vendeve, të krijohet përshtypja se po lexon të njëjtin raport. Të dyja vendet kanë probleme të ngjashme; Kosova dhe Serbia ndajnë sfida të përbashkëta në rrugën drejt forcimit të demokracive të tyre të brendshme të brishta: si t’i bëjnë tregjet më tërheqëse për investimet private, si të rrisin shkallën e punësimit, si të luftojnë më efektivisht krimin e organizuar.
Ndaj, çdo “akord” që vjen si rezultat i këtyre bisedimeve duhet të ndihmojë si Serbinë ashtu edhe Kosovën që të përparojnë në plotësimin e kushteve për anëtarësim në BE.
Por të fokusohemi tani në një skenar tjetër:
Çfarë ndodh nëse këto bisedime degradojnë në më shumë koncesione për veriun (e Mitrovicës)! Pakoja e Ahtisarit ishte limiti i fundit i arritur nga komuniteti ndërkombëtar dhe Ekipi i Unitetit i Kosovës për akomodimin e komuniteteve pakicë pa dëmtuar funksionalitetin e shtetit. Në fakt, aksioni afirmativ për minoritetet në Kosovë (apo diskriminimi pozitiv – siç quhet në Kosovë) është unik në shtrirjen e vet. Prishtina është e vetëdijshme se “për shkak të natyrës së marrëdhënieve me Serbinë, mundësia e politizimit të çdo çështjeje është e pamat” – në fjalët e Kryeministrit të Kosovës në verën e vitit 2010, pikërisht në USIP.
Nëse kjo ndodh – pra më shumë koncensione për Veriun e Mitrovicës – e kjo mund të ndodhë fare lehtë sepse çdo çështje e “parëndësishme”, në dukje e “pafajshme” si p.sh. ajo e tabelave të makinave apo telekomunikacionit mund të shndërrohen në test – atëherë gjendemi përpara një problemi shumë të madh. Kosova nuk ka kontroll praktik mbi veriun e Mitrovicës, mirëpo gëzon ende sovranitetin mbi atë pjesë. Më shumë koncesione do të dëmtonin pozicionin e Kosovës dhe do të rrënonin përfundimisht fuqinë e saj për të fituar diçka nga këto bisedime!
Një status special për Mitrovicën është absolutisht gjëja më e keqe që do t’i ndodhte Kosovës. Do të ishte një sulm mbi bazat e funksionalitetit të shtetit të ri dhe stabilitetit të të gjithë Ballkanit. Jo për ta krahasuar me Bosnjën, mirëpo thjesht për të kujtuar dinamikën e Bosnjës dhe përkeqësimin që ndodhi atje si pasojë e “zgjidhjeve speciale”.
Dhe nëse kjo ndodh, do të përballemi me faktorin e zemërimit - sipas një formule të njohur që mat rrezikun si rezultante të riskut të fshehur dhe zemërimit [ang.:Risk=Hazard+Outrage]. Kundërshtimi i publikut ndaj negociatave, negociatorëve dhe qeveritarëve do të ishte i fortë dhe i pallogaritshëm.
Një status special për Mitrovicën do të provokonte ndoshta një seri pretendimesh të pakontrolluara si ndryshim i kufijve (Veriu i Mitrovicës për pjesën shqiptare të Luginës së Preshevës) apo bashkim me Shqipërinë (dhe e dimë që platformat unioniste fitojnë më shpejt dhe më lehtë simpati se ato ndarëse) e që në tërësi do të thoshte dështim i konceptit post-modern të sovranitetit shtetëror dhe triumf i shteteve mono-etnike.
Veriu i Mitrovicës është problem serioz. Por çfarë nëse bëjmë një ndryshim linguistik dhe në vend të një Statusi Special flasim për një Plan Special? Ajo zonë po përjeton fatin tipik të një qyteti industrial në kohë depresioni ekonomik. Njëherë e një kohë, plot ngjyra dhe dinamikë, njerëzit vinin nga të gjitha anët e Kosovës e madje edhe ish-Jugosllavisë, sepse qyteti ofronte më shumë shanse për punësim dhe jetë më të mirë. Sot është krejt e kundërta. Rigjallërimi i qytetit dhe restaurimi i madhështisë së të kaluarës duhet të bëhen paralelisht me një infuzion të fortë financiar dhe pako ekonomike. Ndaj, pikat në cilat duhet fokusuar tani, ndërkohë që zhvillohen negociatat, janë:
Si t’i jepet fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës
Si të zgjidhet problemi i anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara
Si të tërhiqen investime për Mitrovicën.
Situata në Kosovë nuk është një lojë, ku vëmendja e mediave dhe qeverive të huaja zgjat për aq sa zgjat edhe loja. Procesi duhet ushqyer, kërkohet përkujdesje, në mënyrë që Kosova të bëhet një histori suksesi, për çka kanë dëshpërimisht nevojë të gjitha shtetet kontribuuese në lirinë dhe pavarësinë e saj e që sot synojnë lirinë e demokratizimin në zona të tjera të globit.
(Fjalimi i mbajtur në Institutin Amerikan të Paqes (USIP) në Uashington, si pjesë e programit Hope Fellowship.)
Share this post :

Post a Comment

 
Support : Creating Website | Johny Template | Mas Template
Copyright © 2011. Albanian Defense News - All Rights Reserved
Template Created by Creating Website Published by Mas Template
Proudly powered by Blogger