Kushtetuta e re e miratuar nga partia qeveritare e djathtë në parlamentin hungarez, është pritur me shqetësim nga bashkësia ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, gjatë një vizite në Budapest, kërkoi nga presidenti Pal Schmitt dhe kryeministri Viktor Orban, që të respektohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Kritika pati edhe nga Bashkimi Evropian.
Ministria e Jashtme gjermane shprehu dyshimet e saj nëse kushtetuta e re është në përputhje me vlerat themelore të Bashkimit Evropian. Sipas kritikëve, kushtetuta e re cungon të drejtat e qytetarëve, forcon në mënyrë të papranueshme pushtetin e kryeministrit Orban dhe për shkak të saj, qeveritë e ardhshme mund të jenë jofunksionale.
Projektkushtetuta është propozuar nga partia Fidesz e kryeministrit Orban, e cila në parlamentin e vendit ka mbi dy të tretat e shumicës së nevojshme. Socialistët dhe liberalët në opozitë bojkotuan votimin. Në Budapest me mijëra njerëz protestuan edhe njëherë kundër reformës kushtetuese.
Post a Comment