Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Smilkoviç të Shkupit, ku në rrethana ende të paqarta janë vrarë pesë persona.
MPJ u shpreh ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave dhe inkurajon autoritetet shtetërore që të hetojnë plotësisht këtë ngjarje.
MPJ vlerëson se në këtë situatë është e nevojshme ruajtja e qetësisë dhe shmangia e çdo lloj keqinterpretimi që pengon zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike.
Identifikohen viktimat; sot varrimi
Situata në Maqedoni, pas zbulimit të vrasjes së pesë të rinjve në fshatin Smillkovski, në afërsi të Shkupit, të shtunën rezulton e qetë dhe pa tensione.
Duket se banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja dhe fshatrave të tjera të komunës janë tërhequr në shtëpitë e tyre, pas apeleve të shumta vendore e ndërkombëtare për qetësi.
Ndërkohë, viktimat janë identifikuar si Filip Sllavkovski, Aleksandar Naçevski, Cvetanço Açevski, Kire Trikovski dhe Borçe Stevkovski. Varrimi i tyre pritet të bëhet më vonë gjatë ditës së sotme.
Ministria e Brendshme maqedonase deklaroi të premten se po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe u bëri thirrje mediave që të mos nxisin spekulime të ngutura.
Kjo, pasi ngjarja ndodhi pak kohë pas incidenteve ndëretnike mes sllavo-maqedonasve dhe shqiptaro-maqedonasve të regjistruara muajin e kaluar.
Maqedoni, vrasja e pesëfishtë, 30 të ndaluar
Të paktën 30 persona janë ndaluar nga policia në Maqedoni në lidhje me vrasjen e pesëfishtë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Smillkovski të Shkupit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski tha se policia ka formuar një shtab operativ për zbardhjen e këtij rasti. Ai u bëri thirrje mediave të mos publikojnë informacione të paverifikuara të cilat mund ndikojnë në tensionimin e situatës. Gjatë ditës disa media maqedonase kanë akuzuar shqiptarët për vrasjen e pesëfishtë.
“MPB ka formuar një shtab operativ me përfaqësues më të lartë policor për të bashkërenduar aktivitetet për zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë në fshatin Smilkovc të Shkupit. MPB është vënë në kërkim të autorëve të vrasjes dhe vërtetimit të shkaqeve. MPB shpreh ngushëllime për familjet e të vrarëve dhe apelon për qetësi. Kërkojmë që media të jetë e përmbajtur nga spekulimet dhe të mos nxisin tensione ndëretnike”, deklaroi zëdhënësi, Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Ambasada amerikane: Të ruhet qetësia
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Maqedoni ka reaguar ndaj vrasjes së pesë të rinjve në fshatin afër Shkupit duke shprehur keqardhjen e saj dhe duke bërë njëkohësisht thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje.
Përmes një deklarate për shtyp, ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bëjnë interpretime pa përfunduar më parë hetimet që po drejtohen nga Ministria e Brendshme.
“Jemi në dijeni se autoritetet kanë filluar hetime për incidentin dhe gjetjen e autorit apo autorëve të kësaj vepre të tmerrshme. Mbështesim përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar hetimin dhe proçedurat ligjore në kohë të duhur”, thuhet në deklaratë.
“Gjithashtu, mbështesim kërkesën për bashkëpunim nga qytetarët në mënyrë që të mblidhen të gjitha të dhënat për vrasjet”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e selisë diplomatike në Shkup.
Lidhur me ngjarjen tronditëse është zhvilluar edhe një takim kokë më kokë mes ambasadorit amerikan Paul ëalher dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Bashkëbiseduesit ranë dakord se institucionet e vendit duhet të jenë aktive në menaxhimin e situatës, por edhe në hetimin dhe zbardhjen e menjëhershme të krimit. Qytetarët, mediat dhe të gjithë duhet të japin kontributin e tyre, duke mos paragjykuar motivet për këtë krim”, thuhet në një komunikatë të BDI-së.
Incidenti është dënuar edhe nga Partia Demokratike Shqiptare, e cila ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e spekulimeve dhe provokimeve të ndryshme.
“Kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin në fjalë dhe autorët të vihen para përgjegjësisë”, thuhet në reagimin e PDSH-së.
Post a Comment