Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, thekson se rruga e vetme për të biseduar me Serbinë është aksioni mbarëkombëtar. Sipas tij, çdo lëshim apo luhatje do të sillte pasoja fatale dhe një dëm të madh historik. Me Mitrovicën, sipas tij, sot është në provë shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar.
“Çdokush që është sjellë mirë me Serbinë, prej politikanëve shqiptarë, e ka bërë Serbinë më të keqe. As nuk është e drejtë dhe as e dobishme që t’i bëjmë koncesione Serbisë. Shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë në funksion të faktorizimit të kombit shqiptar në Ballkan. Të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, kanë kontribuar për Republikën e Shqipërisë dhe më vonë për Republikën e Kosovës. Ndaj, këto dy shtete ua kanë borxh ndihmën e pakursyer të gjithë shqiptarëve, kurdoherë që u shkelen të drejtat”, kanë thënë Kurti për gazetën Shekulli.
Sipas tij, koncesionet që po i bëhen Serbisë në dialog, tani po pasohen edhe me indiferencën ndaj sulmeve terroriste të saj. Andaj, mendon Kurti, shqiptarët duhet t’i kthehen vetes, “në mënyrë që të forcohemi dhe me Perëndimin të krijojmë marrëdhënie partneriteti e jo servilizmi”.
Post a Comment