Komisioneri i BE për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar se rruga e Serbisë drejt BE-së do të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në një prononcim për “REL”, Fyle është shprehur se përcaktimi i datës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në është një proçes që mund të zgjasë 1 muaj, por edhe katër vjet.
Më tej, duke folur për marrëveshjet Kosovë-Serbi të arritura në Bruksel, komisioneri ka nënvizuar se nuk është përcaktuar me saktësi nëse fusnota për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale duhet të vendoset para delegacionit të Prishtinës, apo në dokumentat zyrtare të takimeve.
“Ndoshta tani, me fushatën elektorale në Serbi, nuk është momenti i duhur për të folur për këtë, por menjëherë pas zgjedhjeve do t’u kujtoj dy palëve marrëveshjet për të cilat kanë rënë dakord”, ka thënë Fyle.
Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian ka shtuar se marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës duhet të aplikohet ashtu siç është rënë dakord në Bruksel dhe jo sipas interpretimeve personale të palëve.
Në shkurt Prishtina dhe Beogradi, nën ndërmjetësimin e BE-së, arritën marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës me një fusnotë në nismat rajonale, veprim ky që i mundësoi Serbisë marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
Por pas kësaj, qeveria serbe nuk i ka respektuar marrëveshjet dhe madje ka ushtuar presion me akte dhune në veri të Kosovës, gjë që mesa duket ka tërhequr vëmendjen e Brukselit.
Post a Comment