E themeluar muajin e kaluar me President Nderi Ismail Kadarenë, Akademia Shqiptare e Artit dhe e Shkencave ka mbajtur të parin forum publik mbi realitetet dhe sfidat e shqiptarëve.
E shndërruar në një realitet dhe sfidë e gjithëdiskutuar dhe kundërshtuar, kufiri detar me Greqinë ishte ndër pikat e diskutimit nga studiuesi Ksenofon Krisafi, i cili theksoi se kufiri duhej riparë medoemos.
“Të dhënat që dolën nga kabllogramet dhe nga informacionet e tjera të publikuara pas nënshkrimit të marrëveshjes, vërtetuan zyrtarisht se marrëveshja shqiptaro-greke iu imponua me presion Tiranës, u pranua në mënyrë të pashpjegueshme nga udhëheqja shqiptare dhe u tolerua me servilizëm dhe inkompetencë profesionale nga grupi negociator shqiptar. Rezulton që negociatat kanë qenë thuajse formale dhe me një konspiracion thuajse të pajustifikueshëm. Kufiri shqiptaro-grek duhet riparë, por nuk duhet të preket kufiri shtetëror dhe kufiri shtetëror është kufiri që ndan ujërat e brendshme dhe ujërat territoriale mes dy vendeve”, tha studiuesi Krisafi.
Por ç’duhet bërë në këtë moment kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Kuvendit për kufirin zyrtar me Greqinë? Studiuesi Krisafi thekson se negociatat mes dy vendeve janë domosdoshmëri, por ato s’duhet të nisin nga marrëveshjet ekzistuese.
“Duhet patur parasysh që marrëveshja e nënshkruar në prillin e vitit 2009, nuk ekziston më, është një gjë që nuk ka asnjë vlerë juridike dhe negociatat nuk mund të fillojnë mbi bazën e kësaj marrëveshjeje me mendimin që mund të bëhen disa arnime. Jo. Negociatat duhet të fillojnë me një dokument të ri të hartuar nga e para. Negociatat duhet të fillojnë me një ekip tjetër negociator sepse rezultoi që anëtarët e përbërjes së mëparshme, treguan paaftësi, inkopetencë profesionale, madje sipas mendimit tim, shpërdoruan detyrën zyrtare”, tha zoti Krisafi.
Në këtë forum u diskutua ndër të tjera edhe për reformën në sistemin shëndetësor, atë arsimor dhe sfidat e ekonomike të vendit.
Gjykata miratoi ngritjen e kësaj akademie të re në nisje të këtij viti. Kjo Akademi ka bërë bashkë, shkrimtarë, filozofë, historian, mjekë, ekonomistë e shkencëtarë.
Post a Comment